Aktualitet Ushtria, shefi i Shtabit: Prioritet modernizimi

Ushtria, shefi i Shtabit: Prioritet modernizimi

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku ndan në një intervistë për Top Channel prioritetet e tij për modernizmin dhe rritjen e mëtejshme të kapaciteve operacionale të FA në përputhje me kërkesat dhe standardet e NATO-s.

Por për të përcaktuar fushat ku do të ndërhyhet dhe natyrisht faturen financiare, gjeneral Kollçaku i referohet dokumentit strategjik të mbrojtjes, i cili është duke u përgatitur.

“Jemi në kuadrin e rishikimit të Dokumentit Strategjik të Mbrojtjes, që është në vijim të gjithë dokumentave strategjike të Kushtetutës, të strategjisë kombëtare, strategjisë ushtarake në planin afatgjatë të zhvillimit dhe merr parasysh kërcënimet dhe rreziqet jo vetëm të vendit, por dhe Aleancës dhe i përkthen në kapacitetet e duhura për t’i përballuar ato”, deklaron Kollçaku.

Shefi i Shtabit, si një nga anëtarët e grupit të punës për ngritjen e qendrës së ekselencës së NATO-s në vendin tonë për fenomenim e luftëtarëve të huaj që dërgohen në Lindjen e Mesme, zbulon se përgatitjet për hapjen e saj janë në përfundim.

“Jemi në fazën finale të përgatitjes së procedurave të brendshme dhe në konsultim të ngushtë me Komandën e Transformimit Strategjik në Norfolk do të vijohet përmbushja e angazhimit që në Shqipëri të ngrihet dhe të funksionojë qendra për adresimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj”, thotë Kollçaku.

Ndërsa sa i takon situatës globale dhe veçanërisht konfliktit mes SHBA dhe Koresë së Veriut, gjenerali ka nënvizuar se qëndrimet e Shqipërisë do të jenë në unison dhe sipas kërkesave të Aleancës ku bëjmë pjesë.