Bota “Vaksina mund t’i japë fund pandemisë”, OBSH: Mos i braktisni shtetet e...

“Vaksina mund t’i japë fund pandemisë”, OBSH: Mos i braktisni shtetet e varfra

Organizata Botërore e Shëndetësisë përshëndeti zhvillimet pozitive sa i përket vaksinës kundër koronavirusit, por kërkoi që shtetet më të varfra të mos shtypen në vrapin e më të pasurve për të siguruar vaksinat.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebreyesus, tha se vaksinat e suksesshme duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë dhe se nevojiteshin 4.3 miliardë dollarë për të financuar një skemë shpërndarjeje.

“Ka shpresa se vaksinat në kombinim me masa të tjera të testuara do t’i japin fund pandemisë. Çdo qeveri, do të të mbrojë popullin e vet, po shtetet e varfra nuk mund të mbeten duarbosh”, u shpreh Gebreyesus.

Gebrejesus është i shqetësuar se shtetet e pasura mund të blejnë të gjitha dozat e vaksinave të suksesshme në dispozicion. Ai iu bëri thirrje më shumë vendeve t’i bashkohen skemës globale të ndarjes së vaksinës, Covax, ku bëjnë pjesë 187 shtete.

Synimi i saj është të shpërndajë 2 miliardë doza vaksinash rreth botës deri në fund të 2021-shit, por sigurimi i fondeve të nevojshme po rezulton i vështirë.

Deri më tani 4 vaksina kanë treguar efektshmëri të lartë në fazën e tretë të testimit, e fundit prej të cilave ajo e Oxford dhe AstraZeneca. Vaksina është më e lirë dhe ruhet më lehtësisht se dy të tjerat të prodhuara nga Moderna dhe Pfizer dhe pritet të ketë impakt më të madh në rang botëror.

BE do të japë 800 milionë euro për vendet e varfëra

Bashkimi Europian do të kontribuojë me 800 milionë euro për të ndihmuar shtetet me të ardhura të ulta e të mesme, të vaksinojnë popullsinë kundër Covid-19.

“Duam të garantojmë, që të gjithë të kenë qasje ndaj vaksinës, kudo në botë” – tha presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen.

Zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian tha se të mërkurën do të firmosnin kontratën me kompaninë amerikane Moderna për të siguruar 160 milion doza të vaksinës së prodhuar prej saj.

Kjo është kontrata e gjashtë që BE nënshkruan me kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave, duke e çuar totalin potencial të dozave në rreth 2 miliardë. Javën e kaluar Moderna tha se vaksina e saj ka një efektshmëri prej 94.5 përiqnd.