Politika Basha: Po përdhoset puna e mjekëve me fshehjen e numrit të vdekjeve...

Basha: Po përdhoset puna e mjekëve me fshehjen e numrit të vdekjeve nga Covid-19

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me një grup mjekësh, në lidhje me situatën e Covid-19.

Mjekët e pranishëm në takim me kryedemkokratin Basha propozuan që spitalet rajonale të futen në lojë për të ulur fluksin e qytetarëve, të cilët pas infektimit dhe rëndimit të gjendjes shëndetësore nisen menjëherë drejt Tiranës. Sipas tyre, aktivizimi i spitaleve rajonale do të japë impakt të drejpërdrejtë në uljen e mbingarkesës në spitale Covid në Tiranë.

“Duhen futur në lojë spitalet rajonale, që aty të testohet individi, të kapet vatra dhe arrihet të ndalohet fluksi. Dalja jashtë loje e spitaleve rajonale unë besoj se e ka sjellë gjithë këtë rëndesë në Tiranë. Tirana është një qytet me popullsi të madhe. Futja në lojë e spitaleve rajonale, bërja e testimeve, atëherë them që ekziston mundësia që të frenohet ky fluks i madh që vjen drejt Tiranës. Aktivizimi i spitaleve rajonale unë mendoj se do të japë rezultat”, tha një nga mjekët.

Shefi i Partisë Demokratike tha se testimet janë të domosdoshme për të gjurmuar dhe izoluar zinxhirin e infeksionit të Covid-19.

“Testimin e kemi ngritur me forcë që në ditën e parë, kemi kërkuar që testimet të jenë në nivelin minimal, që ka rekomanduar OBSH-ja. Për njerëzit kjo është e qartë, ne kërkojmë testime jo vetëm për hir të testimeve, që të gjurmohet kontakti, të izolohet kontakti dhe kështu të ndërpritet zinxhiri i infektimit”, tha ai.

Gjithashtu Basha zgjodhi t’i rikthehet edhe njëherë numri të viktimave nga Covid-19, të cilat sipas tij nuk po raportohen dhe po fshihen nga strukturat shtetërore.

“Kaq i rendë është ky problem, që fillon me mungesën e testimit dhe pastaj përcillet tek kolapsi sepse nuk ka shtretër dhe pacientët rrinë nëpër ambulanca, dhe pastaj reflektohet në numrin e atyre që humbin jetën. Ata që humbin jetën, sipas denoncimeve të ardhura nga mjekët janë shumë më shumë se ata që raportohen zyrtarisht. Kësaj i thonë të fshihesh pas gishtit”, tha ai.

Sipas Bashës, mosraportimi i saktë i numrit të viktimave është vendim politik i qeverisë, ndërsa shtoi se fshehja e numrave synon të mbulojë dështimin në menaxhimin e situatës. Ai shtoi se me fshehjen e numrave po përdhoset edhe puna e mjekëve.

“Po përdhoset puna e tyre (mjekëve) me këtë vendim politik për të fshehur numrin e viktimave. U bënë gjashtë ditë që kërkoj të hetohen, sepse ajo që shikoj është se testimet janë shumë të ulëta. Janë shkelur protokollet e OBSH-së, sepse po bëhet politikë me viktimat”, shtoi Basha.