Bota Vaksina për koronavirusin: Qindra miliona dollarë dhe muaj të tërë pune

Vaksina për koronavirusin: Qindra miliona dollarë dhe muaj të tërë pune

Qeveritë dhe gjigantët farmaceutikë duhet të fillojnë urgjentisht punën për zhvillimin e vaksinave kundër koronavirusit COVID-19, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

“Vendime të mëdha” duhet të merren pasi vaksinat do të kërkojnë “investim të madh” dhe sektori shtetëror “do të duhet të marrë një pjesë të rrezikut me sektorin privat”, tha Michael Ryan, drejtori i urgjencave në OBSH, në një konferencë nga Gjeneva.

“Kërkojnë qindra miliona dollarë”, tha ai, dhe mund të jetë e nevojshme të zhvillohen disa vaksina të mundshme “pa asnjë siguri se njëra prej tyre do të funksionojë”.

Apeli vjen pas më shumë se 13 000 rastesh shtesë që u konfirmuan në mënyrë retrospektive pas një ndryshimi në mënyrën e diagnostikimit të sëmundjes, duke e çuar numrin total të personave të infektuar në të gjithë botën në 63 851, nga të cilët 1 380 kanë vdekur në Kinë.

Të premten, Japonia konfirmoi edhe një rast tjetër, një burrë japonez në të 70-at, një ditë pasi raportoi vdekjen e parë nga virusi – një grua e moshuar japoneze.

Japonia tani ka 252 raste të konfirmuara, përfshirë 218 në një anije lundrimi që është karantinuar në Yokohama.

Sidoqoftë, rritja e madhe “nuk paraqet një ndryshim të rëndësishëm në trajektoren e shpërthimit”, tha Ryan.

Përshpejtimi në numrin e rasteve nuk paraqet domosdoshmërisht një rritje të papritur të infeksioneve të reja të virusit që shkakton COVID-19 aq sa një metodologji e rishikuar.

Komisioni Shëndetësor i Kinës ka thënë se ndryshimi kishte për qëllim identifikimin e rasteve të dyshuara në të cilat pacienti ka pneumoni, në mënyrë që ata të mund të trajtohen më shpejt dhe të zvogëlojnë gjasat e sëmundjes më të rëndë ose vdekjes.

Koronavirusi nuk është përhapur në një vend të ri që nga 4 shkurti

Në provincën Hubei të Kinës, e cila përfshin epiqendrën e shpërthimit  Vuhan, një ekzaminim me rreze X tani është i mjaftueshëm për të diagnostikuar virusin në vend të një testi laboratorik të acidit nukleik. Rastet e konfirmuara rishtas datojnë që nga fillimi i shpërthimit në fund të dhjetorit.

Infeksioni nuk është raportuar në asnjë vend të ri që nga 4 shkurti.

Ryan gjithashtu tha që ishte bërë “shumë e rëndësishme” për të identifikuar përfundimisht burimin e shpërthimit në mënyrë që të parandalonte një tjetër.

Mes shqetësimit të vazhdueshëm në të gjithë botën për infeksionin, organizatorët njoftuan anulimin e Mobile World Congres 2020, që do të mbahet në Barcelonë këtë muaj. GSMA tha që njoftimi ishte bërë “duke pasur parasysh mjedisin e sigurt dhe të shëndetshëm në Barcelonë dhe vendin pritës” dhe se qyteti “respekton dhe e kupton këtë vendim”.