Politika Veliaj: Ja ku ndryshojmë ne me PD-në e Berishës

Veliaj: Ja ku ndryshojmë ne me PD-në e Berishës

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Erion Veliaj theksoi se më datë 30 qershor qytetarët shqiptarë e kanë të qartë dallimin mes atyre që ndërtojnë shtet dhe atyre që si filozofi të tyre kanë dhunën.

Veliaj nënvizoi se PS ka treguar se nuk ka ikur nga asnjë betejë, duke ia dalë gjithmonë të jetë fituese.

“Në 2005 Rama fillon iniciativën e tij për të hapur PS, më vonë merr lidershipin e PS. Partia jonë u hap për njerëz si unë, për çuna dhe goca që nuk kishin lidhje, nuk njihnin deputetë, por falë asaj hapjeje partia jonë u bë më e madhe dhe u bashkua një talent i jashtëzakonshëm djemsh dhe vajzash që vazhdon dhe sot. Një parti e mirë, është si një familje e mirë, sa më e hapur aq më e madhe bëhet, aq më shumë energji, ide e dashamirësi mbledh nga komuniteti. Falë kësaj hapjeje të PS-së, edhe pse kaluam histori të jashtëzakonshme, mos e harroni Gërdecin, 21 janarin”, deklaroi Veliaj.

Duke folur në festën e 28 vjetorit të themelimit të PS, Veliaj tha se historia ka treguar se cila është forca që ka sjell më shumë progres vendit dhe cila përfaqëson dhunën.

“Ndonjëherë ne flasim vetëm të këqijat që ai apo ata i kanë bërë vendit; sot është koha të flasim për të mirat që PS i ka bërë vendit pas çdo sfide”, tha Veliaj teksa solli në vëmendje se si u dhunuan deputetët socialistët në vitin 96 nga policia e shtetit e cila pengonte çdo tubim demokratik.

Kandidati socialist për drejtimin e Bashkisë së Tiranës theksoi se PS jo vetëm që riktheu shpresën pas shkatërrimit të 97, por rimëkëmbi shtetin, ekonominë dhe qytetet.

“Në ’96-ën Saliu thoshte që kjo është Zvicra jonë, në ’97 ishin po ata që vranë 4000 vetë prej po këtyre që sot duan të vrasin shpresën në Shqipëri. U rimëkëmb vetëm kur erdhi PS në krye të punëve të vendit, u rimëkëmb shteti, u rimëkëmb ekonomia, u rimëkëmbën qytetet tona. Miqtë e mi, librat e shenjtë thonë që nuk ka asgjë të re nën diell”, theksoi ai.