Bota Vendimi i Trumpit për tërheqjen nga Siria ngjall polemika

Vendimi i Trumpit për tërheqjen nga Siria ngjall polemika

Vendimi i presidentit Donald Trump për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Siria është pritur me kritika.

Trump e bëri njoftimin të mërkurën, duke vlerësuar se grupi i Shtetit Islamik ishte mundur. Por, aleatë kryesorë, përfshirë republikanë dhe fuqi të huaja, kanë vënë në diskutim pretendimin dhe thonë se lëvizja mund të çojë në një ringritje të Shtetit Islamik.

Trupat amerikane kanë ndihmuar në dëbimin e grupit xhihadist nga pjesa më e madhe e Sirisë verilindore, por “xhepa” luftimesh mbeten ende.

Senatori republikan Lindsey Graham, që është një prej mbështetësve të Trumpit, e quajti tërheqjen një gabim të madh në stilin e Obamës.

Qeveria britanike nuk u bind po ashtu nga garancia e presidentit se Shteti Islamik është mundur.

Por, në fakt, edhe një raport amerikan i kohëve të fundit thotë se ka ende rreth 14 mijë militantë të ISIS-it në Siri dhe ende më shumë në Irakun fqinj, ndaj ekziston frika se ata mund të kalojnë në taktika “guerrilase” në përpjekje për të rindërtuar rrjetin.

Pentagoni tha se ka nisur një fazë tranzicioni për të kaluar në etapën tjetër të fushatës për eliminimin e Shtetit Islamik, por nuk dha detaje të tjera.

Presidenti Trump, që ka premtuar të tërheqë të gjithë trupat amerikane nga Siria, tha në Twitter se ishte koha që ata të ktheheshin në shtëpi, pas fitoreve të tyre historike.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një afat kohor për tërheqjen, por zyrtarët e mbrojtjes, të cituar nga “New York Times”, thanë se presidenti Trump donte ta bënte këtë brenda 30 ditësh.