Sport Vidal: Chiellini gaboi me ato që tha në libër, por tha edhe...

Vidal: Chiellini gaboi me ato që tha në libër, por tha edhe që jam një kampion

“Një si Vidal, sa herë që dilte, pinte më tepër sesa duhej. E dinë të gjithë që alkooli ishte pika e tij e dobët”, shkruante Chiellini në librin e tij autobiografik, të cilin e botoi pak ditë më parë dhe ka “ngacmuar” jo pak ish-shokë të tij të skuadrës si Mario Balotelli, Felippe Melo dhe së fundi mesfushorin kilen Arturo Vidal.

Vetë ky i fundit, në një intervistë të dhënë për mediat vendase, i është përgjigjur kapitenit të Juventusit, duke i kujtuar se do të ishte mirë që gjërat personale të mos publikoheshin në një libër, por ka pranuar se është sqaruar me Chiellinin për të gjitha.

“Njerëzit janë përqendruar në gjërat e këqija që ai ka thënë, pasi ndër të tjera ai ka thënë edhe që jam një kampion i madh. Ndoshta nuk do të ishte mirë t’i thoshte disa gjëra private në një libër, por kam folur me të në telefon dhe jemi sqaruar. Unë jam qenie njerëzore dhe si i tillë kam bërë gabimet e mia, kam paguar për to dhe kam vazhduar jetën”, u shpreh Vidal.

Mesfushori kilen kërkohet me ngulm nga Interi, pasi është një nga “beniaminët” e Antonio Contes, me të cilin kanë punuar për disa sezone edhe te Juventusi, por në intervistën për mediat e vendit të tij, ka theksuar se ndihet mjaft mirë në Katalunjë dhe se nuk dëshiron të largohet nga Barcelona.

Çfarë shkruante Chiellini për Vidal

“Futbollisti nuk është djall, as shenjt. Dallimi që duhet bërë është një tjetër, domethënë midis atyre të vërtetë dhe të rremë. Çdo herë e më shumë u vërtetua se Vidal pinte më shumë seç duhej. Të gjithë e dinë, mund të themi se alkooli ishte pika e tij e dobët. Ne nuk e vëmë në diskutim si kampion apo njeri për atë çështje! Dobësitë janë pjesë e natyrës njerëzore, duhen llogaritur pasojat që mund të kenë mbi një grup, të cilit i përkisni, sikurse është fjala një ekip futbolli”.

Ky është një fragmenti i autobiografisë “Io, Giorgio”, ku kapiteni i Juventusit, Chiellini, flet për ish-shokun e skuadrës, sot te Barcelona: “Ende mbaj mend një turne amerikan.. Ishim në Miami, në mbrëmje, para stërvitjes së fundit. Të nesërmen në mëngjes do të largoheshim, por Arturo nuk po dukej. Ai ishte në shtrat duke fjetur, duhej ta ngrinim me forcë.

Atë ditë provuam edhe materialin e ri stërvitor, ishim veshur me të zeza dhe ishte temperatura 40 gradë: Conte mezi priste që Vidal, në atë gjendje të hiqte dorë, për ta nxjerrë nga skuadra e për t’i dhënë një dënim shembullor. Por, pas 10 minutash, kur Arturo dukej sikur nuk shihte as të pasonte topin (ishte i përgjumur), e vazhdoi stërvitjen duke vrapuar si i çmendur, duke na lënë pas të gjithëve nga 20 metra. Çfarë t’i thuash një njeriu kështu, që sjell gëzim në grup, përveçse lider, luftëtar dhe një kampion i madh.

Arturo i madh disa herë në vit nuk vinte në stërvitje, ose vinte kur ishte akoma në qejf, le ta themi kështu. Por nuk na la kurrë në baltë, përkundrazi, mendoj se ndonjëherë këto gjëra kthehen në pikë force. Fatkeqësisht e njoha pak Paolo Montero, një tjetër, që jetonte natën si mbret. Moggi i kërkoi të qëndronte në shtëpi, por kur rendimenti i tij ra, shkoi tek ai dhe i tha: “Paolo, të lutem, mjaft qëndrove në shtëpi mbrëmjeve, kthehu ai i përhershmi!” Edhe Vidal ishte pak a shumë kështu”.