Bota Vizita historike në Vietnam, Biden mohon një Luftë të Ftohtë me Kinën

Vizita historike në Vietnam, Biden mohon një Luftë të Ftohtë me Kinën

Më shumë se 50 vjet pasi ushtari i fundit amerikan la Vietnamin, presidenti amerikan Joe Biden udhëtoi drejt Hanoi për të firmosur një ujdi që do të afrojë ish-armiqtë e vjetër më shumë se kurrë më parë.

Marrëveshja e quajtur si partneritet gjithëpërfshirës strategjik, shënon një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kulmon përpjekjet dyvjeçare të Uashingtonit për të fuqizuar lidhjet me Vietnamin, që shihet si kyç për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës në Azi.

Megjithatë, Biden u kujdes të theksonte para gazetarëve në Hanoi se veprimet amerikane, nuk synonin frenimin apo izolimin e Kinës, por ruajtjen e stabilitetit në përputhje me rregullat ndërkombëtare.

“Unë nuk dua të frenoj apo izoloj Kinën. Dua vetëm të sigurohem që të kemi një marrëdhënie të ndershme dhe të sinqertë”, u shpreh presidenti Biden.

Gjatë qëndrimit në Vietnam, Biden tha se kishte zhvilluar bisedimet e nivelit më të lartë me lidershipin kinez në disa muaj, teksa siguroi se lëkundjet ekonomike të Pekinit nuk do ta çojnë atë drejt pushtimit të Tajvanit.

Ai bëri të ditur se ishte takuar me kryeministrin kinez Li Qiang, në samitin vjetor të G20-ës në Nju Delhi, me të cilin siç tha kishin folur për stabilitetin dhe jo konfrontimin.

Duke folur në konferencën për shtyp në Vietnam, Biden e cilësoi ekonominë amerikane si “më të fortën” në nivel botëror. Ai u tha gazetarëve se zhvillimi i Kinës po ngadalësohej për shkak të një ekonomie të dobët globale, si dhe politikave kineze, por nuk specifikoi se cilat politika.