Aktualitet Vrasja e policit në Lezhë, shpallet në kërkim Aldo Rama

Vrasja e policit në Lezhë, shpallet në kërkim Aldo Rama

Aldo Rama është shpallur momentalisht në kërkim nga Policia e Shtetit, si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë Saimir Hoxha, 44 vjeç, në Ishull Lezhë.

Ky është Saimir Hoxha, oficeri 44-vjeçar i cili mbeti i vrarë në krye të detyrës këtë të martë në Ishull Lezhë.

Saimir Hoxha

I shpalluri në kërkim Aldo Rama dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një patrulle policie, e cila ishte në kontroll për kultivim të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës.

Si pasojë ka mbetur i vrarë efektivi 44-vjeçar.

Aldo Rama

“Në vijim të informacionit paraprak, falë veprime të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale”, deklaroi policia.

Për kapjen e tij në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.