Aktualitet Vrau gruan, burg për Naim Murselin, gjykata: Ai ia gjeti armën vrasësit

Vrau gruan, burg për Naim Murselin, gjykata: Ai ia gjeti armën vrasësit

Gjykata e Prishtinës ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjen makabre të 30-vjeçares Liridona Murseli. Vendimi është marrë ditën e sotme, ku thuhet se Murselin do të qëndrojnë në paraburgim, teksa hetimet për ngjarjen po vijojnë.

Në vendimin e zbardhur për mediat, thuhet se ka prova që ka qenë vetë Naim Murseli që ka organizuar vrasjen e gruas së tij, madje ka qenë ai vetë që i ka siguruar armën vrasësit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta, në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës.

30 mijë euro ishte shuma që Naim Murseli kishte premtuar për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademajt. Autori Granit Plava, është lënë në burg si ekzekutuesi i krimit. Më herët, ai deklaroi se ka marrë nga porositësi 15 mijë euro, ndërsa i është premtuar se do të marrë edhe 15 mijë euro të tjera.

Për këtë krim është arrestuar edhe një anëtar i FSK-së, i cili është gjithashtu nip i Naim Murselit, Kushtrim Kokalla.