Bota Vuçiç mban takim urgjent për situatën në Kosovë: Një shtet po i...

Vuçiç mban takim urgjent për situatën në Kosovë: Një shtet po i nxit shqiptarët të destabilizojnë Serbinë

Presideneti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një takim me liderë të serbëve në Kosovë pas incidentit të ndodhur në veri nga ndërhyrja e policisë së Kosovës ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të ushtrisë serbe.

Takimi është mbajtur në një kazermë ushtarake në Rashkë ku mori pjesë dhe ministri në Qeverinë e Kosovës dhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili në fjalën hyrëse i tha Vuçiçit se “do të mbrohemi me çfarë të mundemi”.

“Herën tjetër në një rast të tillë nuk do të mbetet me kaq, serbët do të mbrohen”, tha Rakiç, që mban postin e ministrit për Komunitetet në Qeverinë e Kosovës.

Ky takim vjen pas aksionit të policisë së Kosovës në gjithë vendin për luftimin e kontrabandës, përfshirë edhe komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut e Zveçan.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se kishte ardhur për të dëgjuar përfaqësuesit e serbëve dhe për të rënë dakord për hapat që duhen marrë.

Vuçiç u kërkoi serbëve që të mos sulmojnë forcat e sigurisë së Kosovës duke thënë se kjo është ajo që shqiptarët presin të ndodhë.

“Qëllimi i tyre është destabilizimi i Serbisë. Unë kurrë nuk kam dëgjuar për dikë që të arrestohet për biskota dhe pije”, tha Vuçiç.

Presidenti serb shpjegoi se shqiptarët kanë mbështetjen e të paktën një shteti dhe se ai shtet nuk ishte anëtar i BE-së, por pa bërë specifikime. Vuçiç theksoi se disa fuqi perëndimore po i nxisin shqiptarët sepse ata kanë dëshirën të destabilizojnë gjithçka.

“Sot, kam frikë se kemi dikë që është krejtësisht joracional në Prishtinë dhe kemi disa njerëz keqdashës në bashkësinë ndërkombëtare që duan konflikte. Natyrisht që unë do të doja të ruaja paqen, por unë gjithashtu ju them se ne nuk kemi zgjidhje”, deklaroi presidenti serb.