Politika “Xhepat e njerëzve janë boshatisur”/ Basha, Ramës: Zbato planin tonë me 5...

“Xhepat e njerëzve janë boshatisur”/ Basha, Ramës: Zbato planin tonë me 5 pika

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë sot në Elbasan në kuadër të turit të tij që po zhvillon prej disa ditësh për të parë nga afër gjendjen e bizneseve.

Duke folur për gazetarët nga ky qytet, kryedemokrati i bëri përsëri thirrje Kryeministrit Edi Rama për të zbatuar programin me 5 pika të Partisë Demokratike për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që janë goditur financiarisht nga pandemia e Covid-19.

“Xhepat e njerëzve janë boshatisur sepse është i vetmi vend që s’pati paketë të 3 e të 4 por edhe të parat ishin gjysmake. Janë 100 mijë njerëz që kanë dalë të papunë. Kush kujdeset për ta? Çfarë ndihme do japi për ata Edi Rama? Nga mëngjesi në darkë del dhe bën batuta pa kripë. Po ato as nuk hahen as nuk pihen. Plani me 5 pika që kemi shpalosur është zgjidhje për këto 6 muaj se njerëzit nuk presin dot. Ne kemi një program për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza pas 25 Prillit. Planin me 5 pika ta marri, e lus madje ta marri. Ditë për ditë i them merre këtë plan zbatoje. Sot po flasim për 6 muaj midis Tetorit dhe Prillit kur njerëzit janë në pikë të hallit. Planin e kemi bërë që ta zbatojë qeveria, se ata kanë në dorë ta zbatojnë. Ky plan të nisë të zbatohet një orë e më parë, jo për qejfin tim as për inatin e Edi Ramës, por për të ndihmuar afro 1 milion shqiptarë të cilët për shkak të krizës rrezikojnë bukën e gojës”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.