Opinione Xi Jinping ka arsye të jetë penduar pse u afrua aq shumë...

Xi Jinping ka arsye të jetë penduar pse u afrua aq shumë me Vladimir Putinin

Editorial i Wall Street Journal

Të premten u mbushën plot 1 muaj që kur presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqësi autokratik i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkruan një deklaratë, sipas së cilës nuk ka “asnjë kufi” në miqësinë e tyre.

Por tani Xi mund të jetë duke arritur nën përfundimin se nuk i nevojiten dhe aq miq të tillë, pasi Kina nuk ka nevojë për armiq. Shumë pak nga gjërat që lidhen me pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin janë në favor të drejtpërdrejtë të Pekinit.

Një nga fatkeqësitë më të mëdha deri më tani, ka të bëjë me fatin e qytetarëve kinezë në Ukrainë. Aktualisht ka shumë spekulime nëse presidenti rus e paralajmëroi homologun e tij kinez, se ishte i pashmangshëm një pushtim i Ukrainës.

Sido që të jetë, Pekini nuk e evakuoi ambasadën e tij apo qytetarët kinezë, që tani po përpiqen të dëshpëruar që t’i shpëtojnë tankeve dhe bombave që hedh ushtria e Putinit mbi qytetet ukrainase .Dhe kjo situatë e rëndon akoma më shumë dilemën diplomatike me të cilën përballen aktualisht Xi Jingping.

Duke e pozicionuar veten si miku më i ngushtë i Vladimir Putinit, udhëheqësi i Kinës është aktualisht nën një presion të jashtëzakonshëm nga pjesa tjetër e botës, për ta detyruar mikun e tij t’i japë sa më shpejt fund luftës së përgjakshme që ka nisur në vendin fqinj.

Nëse ai nuk do të mundet ta bëjë këtë, dhe shenjat e deritanishme nuk janë aspak inkurajuese, kjo gjë do të nxjerrë në pah limitet e kësaj marrëdhënieje strategjike, që u konkretizua me disa marrëveshje të mëdha bashkëpunimi muajin e kaluar.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, po nxjerr në pah limite të tjera të fuqisë kineze. Pekini ka refuzuar që të vendosë sanksione financiare apo masa të tjera, si ato që kanë vendosur tashmë qeveritë perëndimore ndaj Rusisë. Por kompanitë kineze, mund të mos kenë zgjidhje tjetër veçse të respektojnë gjithsesi sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për bankat kineze, të cilat zbuluan këtë javë se mund të kenë nevojë të ndërpresin disa biznese me homologët rusë, për të ruajtur qasjen e tyre në sistemet financiare shumë më të rëndësishme të dollarit dhe euros.

Jashtë Kinës, pushtimi i Ukrainës duket se po shkakton një ndryshim të dukshëm në qëndrimet ndaj sigurisë në Azi dhe Evropë. Në Japoni, ish-kryeministri Shinzo Abe u bë fundjavën që shkoi politikani i nivelit më të lartë që ka bërë ndonjëherë thirrje, që Japonia të mirëpresë armët bërthamore amerikane në territorin e saj.

Një lëvizje e tillë, i takon sigurisht të ardhmes. Por Pekini do të preferonte që Japonia të mbetet përgjithmonë në vend pacifist shumë i vendosur. Por për këtë mund të jetë tepër vonë, pasi lufta në Ukrainë e ka fokusuar vëmendjen e të gjithë aziatikëve tek siguria e Tajvanit.

Presidenti amerikan Xho Bajden, dërgoi këtë javë në Tajvan një delegacion ish-zyrtar është lartë të mbrojtjes, si për të demonstruar mbështetjen e fortë e të palëkundur të Uashingtonit  për ishullin, që për Pekinin mbetet një sfidant shumë i madh.

Një nga leksionet që duhet të mësojë Perëndimi nga ngjarjet në Ukrainë, është rëndësia që ka shitja e hershme e armëve mbrojtëse dhe shpesh ndaj partnerëve më të vegjël të rrezikuar nga një pushtim i mundshëm. Ndaj miku i presidentit Xi në Kremlin, mund të shkaktojë një raund të ri shitjesh të armëve në Taipei.

Singapori ndërmori hapin e pazakontë të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, edhe pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Hera e parë që qytet-shtet e bën këtë që nga vitet 1970. Edhe një kujtesë për Pekinin:“Është shumë e lehtë që një vend i vogël të përfshihet në lojërat gjeopolitike të fuqive të mëdha”- tha Ministrja e Jashtme Vivian Balakrishnan.

“Por vendet e vogla duhet të shmangin shndërrimin në pengje që duhen sakrifikuar, apo në shtete vasale, që do të përdoren nga njëra palë kundër tjetrës”- shtoi ajo.

Në Evropë, deklarata e ngrohtë e miqësisë së ngushtë të Xi Jingping me Vladimir Putinin, e ka vendosur në dilemë udhëheqësin kinez, tani që udhëheqësit evropianë e kanë vënë Kremlinin nën shënjestër.

Koha kur po ndodh kjo nuk mund të ishte më e keqe, pasi tani Lufta e Ukrainës mund të dominojë edhe samitin Kinë-Bashkimi Evropian të planifikuar për në datën 1 prill, i cili supozohej të arrinte një përparim domethënës drejt një marrëveshjeje dypalëshe të investimeve, që ka ngecur prej 2 vitesh.

Një zhvendosje e plotë diplomatike dhe tregtare evropiane kundër Kinës do të marrë kohë, gjithnjë nëse do të ndodh. Por disa efekte po ndihen që tani. Sanksionet e shkaktuara nga lufta e nisur nga Putini, po kërcënojnë të ndërpresin trafikun në hekurudhën që shkon Kina në Evropë, një projekt që është në qendër të diplomacisë ekonomike të Pekinit me vendet e Evropës Lindore si Polonia.

Është e zakonshme që jashtë Kinës të supozohet se regjimi i Partisë Komuniste luan një shah shumëdimensional, ndërsa pjesa tjetër e botës luan damë. Ndoshta po, por jo këtë herë, ku ajo që supozohej të ishte një miqësi e madhe strategjike, po dëmton interesat e Xi vetëm një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së bujshme Kinë-Rusi.