Politika Yuri Kim: SHBA do të ndërmarrë veprime kur Shqipëria është nën sulm

Yuri Kim: SHBA do të ndërmarrë veprime kur Shqipëria është nën sulm

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kryetaren e parlamentit, Lindita Nikolla, në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar.

Ambasadorja pas takimit ka pasur një prononcim për mediat ku ka folur edhe për vendimin e qeverisë shqiptare ditën e sotme pas sulmit kibernetik nga Irani.

Ambasadorja u shpreh se duhet të jetë e qartë që kur Shqipëria është nën sulm, SHBA-ja si aleat dhe mik i vendit tonë, do të ndërmarrë veprime.

“Më lejoni ta përdor edhe këtë rast për ta theksuar rëndësinë e veprimit që është ndërmarrë kundër sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Kemi parë deklaratën e kryeministrit Rama sot në mesditë. Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë absolutisht e qartë që kur miku dhe aleati ynë Shqipëria është nën sulm, SHBA do të ndërmarrin veprime”, tha ajo.

Ndër të tjera, ambasadorja theksoi se do të vazhdojë të takohet me drejtuesit që janë zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që kanë rol në forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Sapo kam zhvilluar disa takime shumë të mira me kryetaren e Kuvendit zonjën Nikolla dhe me nënkryetarin e Kuvendit zotin Gjekmarkaj. Në fakt si pjesë e traditës si unë dhe pararendësit e mi e kemi bërë pjesë të kësaj tradite që të takohemi me kryetarët e Kuvendit në fillim të çdo sesioni parlamentar. Është e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të angazhohemi në mënyra që vazhdojë theksojnë rëndësinë e ligjeve, gjithashtu edhe mbajtjen e rregullave dhe forcimin e institucioneve demokratike. Ne do të vazhdojmë të takohemi me ato drejtues që janë të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që gjithashtu kanë rol legjitim për të ruajtur në forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit”.