Kryesore Zbardhet vendimi për Salianjin: U përfshi për interesa politike

Zbardhet vendimi për Salianjin: U përfshi për interesa politike

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u dënua nga Gjykata për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim, lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji është përfshirë në kallëzimin e rremë për interesa politike të tij dhe të partisë ku ai bën pjesë, Partisë Demokratike.

Sipas Gjykatës Penale, Albert Veliu i njohur si Babalja dhe që u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, u akomodua në selinë e Partisë Demokratike dhe më pas ka dhënë edhe intervistën.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se “biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018. Biseda është regjistruar në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ia ka dorëzuar Ervin Salianjit. Ndërkohë Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron Geron Xhafës”.

“Në tetor 2017, Albert Veliu ka marrë takim me Ervin Salianjin. Me 20 tetor 2017 Veliu ka biseduar me Salianjin për 51 sekonda. Ky komunikim përveçse motiveve për audiopërgjimin si lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër. Nuk janë as miq as të afërm. Ervin Salianji realizoi kontaktin e Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi. Deklarimet publike te Salianjit nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.

“Nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti. Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit të funksionit politik te deputetit apo ushtrimit te lirisë së shprehjes”, thuhet më tej në argumentimin prej 60 faqesh të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë me 18 dhjetor të vitit që lamë pas, nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim, por ai nuk do të arrestohet për të bërë burg, pasi është hetuar në gjendje të lirë. Pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, do të pritet çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të vendimit të prerë.

Ndërkohë, Albert Veliu njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune.