Extra Zbulohet shkaku i vdekjes së Sinéad O’Connor

Zbulohet shkaku i vdekjes së Sinéad O’Connor

Mjekësia ligjore ka konfirmuar se këngëtarja e famshme Sinéad O’Connor ka ndërruar jetë për shkaqe natyrore, duke përjashtuar kështu aludimet për shkaqe të tjera të mundshme, të cilat përfshinin overdozën apo vetëvrasjen.

Këngëtarja ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare. Ajo u gjet pa ndjenja në apartamentin e saj në Londër në muajin korrik të vitit të kaluar dhe lajmi i befasishëm shokoi fansat e saj në mbarë botën.

Këngëtarja e hitit “Nothing Compares 2 U” ndërroi jetë në korrik të vitit 2023, disa ditë pasi anuloi projektet e saj muzikore për t’u përqendruar te shëndeti i saj. O’Connor ishte në një gjendje të vështirë, pasi i biri i saj, Shane, u vetëvra në moshën 17-vjeçare.

Sinéad O’Connor lindi në Glenageary, County Dublin, në dhjetor 1966 dhe pati një fëmijëri të vështirë. Kur ishte adoleshente, ajo u vendos në An Grianan Training Centre, në Dublin, e krijuar fillimisht për të burgosur vajza të reja që konsideroheshin të shthurura.

Një murgeshë i bleu një kitarë dhe e lidhi me një mësues muzike – nga ku nisi karriera e saj muzikore. Ajo publikoi albumin e parë të vlerësuar nga kritikët “The Lion And The Cobra” në vitin 1987, i cili u klasifikua në top 40 në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Albumi i dytë ishte “I Do Not Want What I Haven’t Got”, ku përfshihej edhe “Nothing Compares 2 U”. E shkruar nga Prince, kënga arriti të kryesonte listat në mbarë botën, duke përfshirë SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.

O’Connor, e cila fliste hapur për pikëpamjet e saj sociale dhe politike, publikoi 10 albume midis viteve 1987 dhe 2014.

Në vitin 1991, ajo u shpall artistja e vitit nga revista Rolling Stone dhe mori çmimin Brit për artisten më të mirë solo ndërkombëtare.

Vitin e ardhshëm, një nga ngjarjet më të rëndësishme të karrierës së saj ndodhi kur ajo grisi një fotografi të Papa Gjon Palit II në “Saturday Night Live”, ku ishte e ftuar. Protesta e saj lidhej me abuzimin seksual të fëmijëve nga Kisha Katolike.

Pas kësaj, ajo u ndalua përgjithmonë që të merrte pjesë në NBC dhe në SHBA pati protesta kundër saj. “Nuk më vjen keq që e bëra. Ishte e shkëlqyer,” tha ajo në një intervistë me Nee York Times në 2021. Në janar 2022, djali i saj 17-vjeçar Shane u gjet i vdekur pasi u raportua i zhdukur dy ditë më parë.

Këngëtarja shkroi në rrjete sociale se ai “kishte vendosur t’i jepte fund luftës së tij tokësore” dhe kërkoi që “askush të mos e ndjekë shembullin e tij”. Më pas, ajo anuloi të gjitha shfaqjet live për pjesën tjetër të vitit 2022 për shkak të “dhimbjes së vazhdueshme” pas vdekjes së djalit të saj.

Albumi i fundit i O’Connor, “I’m Not Bossy, I’m The Boss”, u publikua në vitin 2014.

Pasi u konvertua në fenë islame në vitin 2018, këngëtarja ndryshoi emrin e saj në Shuhada’ Sadaqat, por vazhdoi të performojë me emrin e lindjes.

Ajo publikoi një libër me kujtime, “Rememberings”, në vitin 2021.