Aktualitet Vrasja me snajper e 23-vjeçarit. Prokuroria heton edhe për ngatërrim të shënjestrës

Vrasja me snajper e 23-vjeçarit. Prokuroria heton edhe për ngatërrim të shënjestrës

Dy ditë pas vrasjes së 23-vjeçarit, Gëzim Sinomati në Vlorë, policia dhe prokuroria ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorëve. Hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë kanë ngritur dyshimet se i riu i ekzekutuar me snajper mbrëmjen e së dielës në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë, mund të jetë vrarë gabimisht.

Sipas tyre nuk përjashtohet mundësia që shënjestër e këtij atentati mafioz të ketë qenë xhaxhai i tij, Benard Sinomati. Ky i fundit ka qenë së bashku me viktimën në banesën ku u qëllua i riu, i cili kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika, vend ku dhe jeton.

23-vjeçari ka qenë në ambientet e brendshme të banesës në afërsi të vetratës prej xhami, të cilën e kishte ulur pak për të qarkulluar tymin e cigares që po konsumonte. Mungesa e ndriçimit në rrugë sipas hetuesve mund të ketë ndikuar tek ngatërrimi i shënjestrës nga qitësi.

Dyshimi i krijuar nga policia dhe prokuroria vjen për shkak se xhaxhai i viktimës ka qenë shënjestër edhe e një sulmi me tritol në janar të 2021, ku po në lagjen Hajro Çakërri iu hodh në erë me eksploziv makina.

Ndërkohë sa i takon autorëve të kësaj vrasje që dyshohet se ishin të paktën 3 persona, hetuesit dyshojnë se ata kanë qenë vrasës me pagesë. Për të mos lënë asnjë gjurmë ata kanë përdorur një makinë me targa të dubluara të një automjeti në zonën e Kamzës, si dhe janë kujdesur të shuajnë çdo provë duke djegur makinën në një zonë pa kamera sigurie.

Hakmarrja është pista kryesore ku është përqendruar grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së 23-vjeçarit, Gëzim Sinomati. I riu këtë të martë është përcjellë për në banesën e fundit, në një ceremoni mortore të blinduar me forca të shumta policie pasi në të ka qenë prezent dhe babai i tij, Sokoli, i cili aktualisht vuan një dënim në burgun e Fushë Krujës, raporton Tv Klan.