Kryesore Zgjedhjet greke “minojnë” marrëveshjen e detit dhe paktin me Shqipërinë

Zgjedhjet greke “minojnë” marrëveshjen e detit dhe paktin me Shqipërinë

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga ana Kryeministrit grek, Aleksis Tsipras në rastin më të mirë shtyn në një afat të pacaktuar kohor marrëveshjen mes Tiranës dhe Athinës për çështjen e kufirit detar dhe në rastin më të keq rrezikon anulimin e gjithë atyre sa është rënë dakort parimisht nga bisedimet mes dy vendeve.

Në rastin e parë, zgjedhjet do të lënë për në një moment të dytë vëmendjen e Athinës sa i takon kufirit detar. I angazhuar në fushatën elektorale dhe më pas me formimin e qeverisë së re, gjithnjë nëse SYRIZA do të arrijë që të konfirmohet forcë e parë, Aleksis Tsipras vështirë se mund t’i përqëndrohet politikës rajonale, të paktën jo pa u ftohur mirë pakënaqësitë dhe revolta që ngjalli me Marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë e Veriut, që ngjalli protesta masive në të gjithë Greqinë.

Skenari tjetër është akoma më i zymtë për nënshkrimin e një pakti. Sondazhet nxjerrin parti të parë Demokracinë e Re të Qirjakos Mitsotaqis. Ky i fundit vështirë se do të firmosë një marrëveshje të negociuar nga kabineti Tsipras dhe sidomos nga Nikos Kotzias, njëri prej ish-ministrave më të sulmuar prej Demokracisë së Re.

Për Demokracinë e Re, në mos marrëveshja e nënshkruar në 2009, mes Dora Bakojanisit dhe Lulzim Bashës si ministra të Jashtëm dhe Sali Berishës e Kostas Karamanlis si Kryeministra, një marrëveshje e ngjashme është e duhura.

Vetë Bakojanis e ka cilësuar pak muaj më parë atë pakt të arritur si një “vepër arti” në karrierën e saj si kryediplomate e Greqisë dhe hamendësonte se rrëzimi i marrëveshjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri ishte bërë me ndërhyrjen e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan.

Verën e kaluar, vetë Mitsotaqis shpërndante një deklaratë zyrtare të Demokracisë së Re, ku dilte kundër marrëveshjes së detit me Shqipërinë dhe akuzonte Aleksis Tsipras për diplomaci të fshehtë në dëm të interesave të Greqisë.

“Diplomacia sekrete e Tsipras dhe Kotzias ka rezultuar në dëm kombëtar me marrëveshjen e Shkupit. Tani, njerëzit mësojnë të habitur për një marrëveshje të ngjashme që po diskutohet me Shqipërinë. Ne i kërkojmë Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të informojnë menjëherë Parlamentin për çfarë negociojnë në fshehtësi me Tiranën”, thuhej në deklaratë.

Thuajse një vit më vonë, debati për këtë temë është lënë në heshtje si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri. Krizat e brendshme politike në të dyja vendet dhe largimi nga diplomacia fillimisht e Nikos Kotzias dhe më vonë e Ditmir Bushatit e lanë në hije këtë temë, por jo të shuar.

Tema mund të rindizet edhe më fort nëse Demokracia e Re vjen në pushtet. Kërkesat e zyrtarëve të saj aktualisht janë maksimale dhe përveç një pakti për çështjet kufitare ka paralajmëruar edhe bllokim të procesit të integrimit për çështjet e minoritetit dhe të pronave të tyre. Bllokimin e fundit e kanë kërkuar publikisht për vendosjen e vetos ndaj hapjes së negociatave.

Qëndrimi i ashpër i Demokracisë së Re nuk do të ishte surprizë, aq më tepër që ajo sot drejtohet nga i biri i të ndjerit Konstantinos Mitsotaqis. Ky i fundit ishte Kryeministër në vitet e vështira ’90 dhe në kulmin e përplasjeve mes dy vendeve në vitin 1993. Gjithçka nisi nga vendimi i Shqipërisë për të dëbuar një prift grek me akuzën e përhapjes së propagandës antishqiptare në zonën e Gjirokastrës.

Vendimi pasoi ashpërsimin e gjuhës dhe deri tek nisja e operacionit të ashtuquajtur “Fshesa”, ku qindra-mijëra shqiptarë që kishin emigruar në Greqi u riatdhesuan me dhunë. Po në këtë vit, Mitsotaqis paraqet një plan me gjashtë pika për çështjen e minoritetit grek. Plani ishte hartuar nga këshilltari i tij, Nikolas Geixh, i njohur në qarqet ekstremiste greke dhe antishqiptar i hershëm.