Kryesore “Zgjedhorja”, Gjermania: Presim rezultate konkrete

“Zgjedhorja”, Gjermania: Presim rezultate konkrete

Thyerja e bojkotit nga opozita është mirëpritur nga ndërkombëtaret të cilët, kanë përshëndetur vendimin e saj për të qenë pjesë e tryezës së dialogut për reformën zgjedhore. Pas SHBA, edhe Gjermania ka përshëndetur gjithë-përfshirjen në këtë tryezë. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf ka vlerësuar pjesëmarrjen e gjerë në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE. Zingraf tha se kjo tryezë gjithëpërfshirëse hodhi hapin e parë dhe të duhur nga palët politike, ndërsa pret që të shohë rezultatet konkret nga ajo.

Sipas ambasadorit Zingraf pasja e rezultateve konkret për Reformën Zgjedhore do të jetë një bazë e sigurt për procesin e afrimit të Shqipërisë me BE.

“Tryeza e parë për reformën zgjedhore është një hap në drejtimin e duhur. Tryeza e sotme e organizuar nga OSBE dhe Kuvendi i Shqipërisë është një hap i parë i rëndësishëm i një dialogu gjithë-përfshirës dhe bipartizan, për t’i dhënë reformës zgjedhore një shtysë të re. Unë përshëndes faktin, që përfaqësues të qeverisë, të opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ulen në një tavolinë dhe këshillohen për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it. Kjo tregon gatishmërinë, për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë. Për sa i përket ecurisë së mëtejshme të procesit të afrimit të Shqipërisë me BE-në, do të jetë thelbësore të zhvillohet një dialog me rezultate konkrete për kodin zgjedhor. Gjermania mbetet e gatshme të shoqërojë këtë proces duke ofruar mbështetjen e saj” shkruan Zingraf në përfundim të tryezës së dialogut për Reformën Zgjedhore.

Nisja e konferencës për tryezën e dialogut gjithëpërfshirës për Reformën Zgjedhore u përshëndet edhe nga SHBA-të duke vlerësuar vendimin e opozitës joparlamentare për të qenë pjesë e saj. SHBA theksoi se ky vendim i Bashës për t’i thënë “po” tryezës së dialogut për reformën zgjedhore tregon udhëheqësi dhe forcimin e demokracisë në vend.