Bota 100 vjet Republikë, Turqia demonstron forcën, luftanijet dhe avionët “pushtojnë” Stambollin

100 vjet Republikë, Turqia demonstron forcën, luftanijet dhe avionët “pushtojnë” Stambollin

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mori pjesë këtë të diel në manifestimet e organizuara me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, të zhvilluara në Bosfor.

Shfaqja e realizuar nga ushtria në qiellin e Stambollit dhe ngushticën e Bosforit mori vëmendjen e të gjithëve, pasi u pa si një demonstrim force nga ana e Erdogan.

Në paradë morën pjesë 100 anije, të drejtuara nga gjigandja TCG Anadolu. E quajtur “100 anije në vitin e 100-të”, parada pa të dilnin në Bosfor TCG Anadolu, TCG Nusret, si dhe 11 fregata, 10 nëndetëse, 4 korveta, 4 anije patrullimi, 17 varka sulmuese, 8 anije gjuetie për mina, 5 anije amfibe, 10 anije ulëse tankesh, 18 anije të klasit ndihmës dhe 4 varka sulmuese.

Po ashtu 14 avionë, përfshirë F-16 dhe F-4, nga Komanda e Forcave Ajrore shoqëruan anijet gjatë paradës.

Gjatë parakalimit të anijeve, nga Komanda e I-rë e Ushtrisë u gjuajtën në qiellin e Stambollit 101 të shtëna artilerie, ndërsa një ekip aviatorësh gdhendi numrin 100 në qiell, enkas për 100-vjetorin e Republikës.

Gjatë ceremonisë së kalimit të anijeve ushtarake në Bosfor, presidenti Erdogan dhe komandantët e tij shoqërues u ngritën në këmbë dhe përshëndetën anijet.

“Me lavdi, nder, gëzim… Shekulli i Turqisë”, shkroi Erdogan në llogarinë e tij në rrjetet sociale.