Aktualitet 120 mijë lekë për të tërhequr dosjen/ GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir...

120 mijë lekë për të tërhequr dosjen/ GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për ta marrë falas

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për të tërhequr pa asnjë pagesë dosjen hetimore të SPAK për koncesionarin e sterilizimit, çështje në të cilën vetë Ilir Beqaj është nën hetim.

Beqaj kishte kërkuar që të shikonte aktet hetimore të kësaj dosje, por SPAK kishte vendosur një shumë prej 120 mijë lekësh të reja për ta tërhequr dosjen.

Ilir Beqaj nuk pranoi edhe kërkoi nga gjykata që dosjen ta tërheqë pa asnjë pagesë.

“Personi nën hetim Ilir Beqaj, më datë 21.02.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Detyrimin e Prokurorisë së Posaҫme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që të vendos në dispozicion të z.Ilir Beqaj si “person nën hetim”, pa kurrfarë detyrimi monetar nga ana e tij për shërbimin e skanimit, të akteve të deritanishme të dosjes hetimore që lidhet me procedimin penal Nr. 13, të vitit 2020, në kuadër të garantimit të së drejtës së tij kushtetuese dhe ligjore për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore në ngarkim të tij”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Në përfundim, gjykata e rrëzoi kërkesën e Ilir Beqajt si të pabazuar në ligj për të marrë falas dosjen me aktet hetimore të SPAK për hetimin e koncesionit të sterilizimit.

Kështu, ish-ministri Beqaj do të duhet të paguajë tarifën për të tërhequr dosjen. Megjithatë, vendimi i GJKKO mund të apelohet.