Aktualitet 2 qershori ditë zie kombëtare në nderim të Bujar Nishanit

2 qershori ditë zie kombëtare në nderim të Bujar Nishanit

Data 2 qershor shpallet ditë zie kombëtare. Vendimi është marrë sot nga qeveria në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

Ndërsa, ceremonia e homazheve do të zhvillohet nesër nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.

Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i shtetit.

Nishani ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare si pasojë e komplikimeve shëndetësore. Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për t’u kuruar nga një sëmundje e mushkërive, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.

Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Bujar Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.

Ai ka mbajtur edhe poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm dhe ministër i Drejtësisë.