Nga Klodi Kadillari
Një dite para datës së specializimit tim në Kinematografi-Dokumentar pikërisht në datë 4 mars lexoj në mesditë një dekret nga qeveria që urdhëronte mbylljen e të gjitha institucioneve publike dhe njëherazi universiteteve. Nuk dëshiroja që ky urdhër ishte i formës së prerë, kisha bërë shumë punë në punimin tim të specializimit dhe kisha përgatitur një dokumentar mbi emigracionin që me padurim prisja të paraqitesha përpara komisionit me emrat më të njohur të artit italian dhe medias. Kam qëndruar me ankth deri në ora 12.00 të mesnatës kur nga Akademia Mario Sironi konfirmohet lajmi i urdhrit të prerë se nuk do lejohen as Mbrojta e Diplomave për të fundit që kishim mbetur nga Kinematografia për specializim ishim vetëm dy, unë dhe kolegia ime, dështim dhe zhgënjim. Por e kalova sepse të nesërmen, regjisori njëherazi ish-drejtori i RAI3 Lorenzo Hendel më dha lajmin e bukur dhe motivues që dokumentari im “Non e finita ankora” dhe i koleges time do jete pjesëmarrës në një festival filmi në Sardenjë. Ky lajm dhe ajo çfarë u fol rreth dokumentarit tim me dha një forcë te madhe për ta kaluar momentin që nuk arritëm te specializoheshim në datë 5 mars.
Në temën time që lidhet me dokumentarin trajtohet psikologjia e emigrantëve në tërësi, një temë që e lidha me periudhën me atë që kaloi Shqipëria mbas rënies se komunizmit, eksodet e para e deri në ditët e sotme, dëshira dhe kërkesa për të lënë vendin, familjen, origjinën, gjuhën nën ndikimin e shume faktorëve. Këto ditë unë dhe shumë qytetarë italianë po jetojmë me ankth, tension dhe në një lloj mënyre një frike e padukshme ka kapluar trupat dhe imagjinatën e çdokujt. Numri i viktimave, numri i të prekurve me Covid-19 ka shkaktuar shumë probleme psiko-sociale mund të them që ka ndikuar në ndryshimin e mënyrës së jetës, një virus që erdhi krejt papritur dhe na gjeti të papërgatitur moralisht dhe pse jo ekonomikisht. Një pandemi që përveç dëmeve njerëzore solli edhe një lloj reflektimi mbi jetën dhe mënyrën se si po vepronim në sjelljet tona, në gjykimet tona në mosrespektimin e qenieve humanë deri te mos respektimi i natyrës. Një makth që po na bën të mendojmë dhe të reflektojmë, të falim dhe të jemi të falur…
Në këto ditë makthi ajo që më bëri ti jap motiv ditëve të mia e mbyllur në një lloj karantinë është ardhja e romanit tim të dytë “Pengu” në gjuhën italiane, një përkthim i mirëfillte nga Mirko Lantieri dhe Alba Mukja, ku po e shijoj dhe po i gëzohem veprës time duke uruar dhe shpresuar të kem po te njëjtin suksese ashtu si në Shqipëri dhe lexuesi italian të kuptojë mënyrën time si autore dhe realitetin që përjetoi dhe vuajti Shqipëria mbas rënies së komunizmit. E kam theksuar dhe e theksoj karriera ime artistike tashme është e mbërthyer ngushtë me historinë e vendit tim, me vuajtjet e vendit tim dhe mbi te gjitha me dhunën dhe diskriminimin e femrës shqiptare. Në këto muaj të kësaj pandemie të padëshirueshme që po merr jetë njerëzish unë po i kërkoj jetës dhe vetes të më japë forcë të shijojë sukseset e mia me dokumentarin ende te pashfaqur “Non e finita ankora” dhe me publikimin e romanit “Il Rimorso” si edhe te vazhdoj punët e ardhshme.
Nuk ka qenë e lehte të përballesh e vetme në këtë ishull ku janë të prekur me Covid-19 më shumë se 60% e stafit mjekësor në spitalin e Sassarit, ku shume pavione janë të mbyllura për shkak të përhapjes së pandemisë dhe rreziku është shume i larte. Nuk ka qenë e lehtëkur dëgjoja zërin e Rosario Petta, kryetarit të komunës Arbëreshe në Piana degli Albanesi nga komunikimi telefonik që më tregonte për rrezikun dhe përkujdesjen e arbëreshëve, ndjeja mëshirë dhe dhimbje jo vetëm që është gjaku im, por aty dominon mosha e tretë dhe është pasqyra e gjyshërve te mi. Pikërisht sot shoh flamurin italian të ngritur në gjysmë shtizë në kujtim të viktimave të të prekurve dhe punonjësve të mjekësisë që humbën jetën për shpëtimin e jetëve njerëzore, shoh lot te qytetarët italianë, dhimbje dhe ajo çfarë më bën ti ulëras dhimbjes sepse nuk mundet askush ti japë lamtumirën e fundit të dashurve të tyre. Faleminderit z. Rosario Petta në emrin tim si artiste, por edhe si shqiptare për punën që po bën në Horen e Arbëreshëve, vetëm kështu ndahet dhimbja dhe e luftojmë këtë pandemi kjo pandemi nuk njeh ngjyra politike dhe as mediatike.
Shume artistë dhe emra të njohur të artit italian më janë gjendur pranë në këto ditë përmes komunikimeve si Salvino Giaimo, Lorenzo Hendel, Carlo Valle, Giovanni Sechi, aktori dhe regjisori Adem Kicaj dhe shume të tjerë për një komunikim te nevojshme njerëzor dhe human. Edhe pse Erich Froom në filozofinë e tij thotë – arratisje për të gjetur lirinë…i bashkohem teorisë se tij, por në këto ditë, liria e krijuesve bëhet akoma me e domosdoshme dhe frytdhënëse nga një mesazh pozitiv, nga një telefonatë e largët, nga një zë i ëmbël që te merr çdo ditë dhe jeton me vetminë e çdokujt në këto dite ku po jetojmë jo për t’ju gëzuar teprisë së pasurisë apo epsheve të pamatura, por për të mbijetuar.
Artistët nuk janë kurrë vetëm deri sa kemi forcën e krijimit, lutem që kjo pandemi të kalojë sa me shpejt dhe ti rikthehemi normalitetit duke na shërbyer ky reflektim në përmirësimin e jetëve tona dhe në dashurinë që duhet te japim për njëri-tjetrin, qenia njerëzore është më e vlefshme se çdo pasuri tjetër.