Sport Rezultatet jo të mira në kualifikuese, shkarkohet trajneri i Kosovës Bernard Challandes

Rezultatet jo të mira në kualifikuese, shkarkohet trajneri i Kosovës Bernard Challandes

Bernard Challandes ka konfirmuar sot se nuk do të jetë më trajner i Kosovës. Rezultatet jo të mira në kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022” kanë bërë që trajneri veteran dhe përfaqësuesja e Kosovës të ndajnë rrugët e tyre.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, tha në një konferencë për shtyp: “Duam ta falënderojmë trajnerin Challandes për punën e bërë me ekipin, për suksesin e arritur, sidomos në Ligën e Kombeve. Duam të bëjmë me dije që kemi vendosur ta ndërpresim bashkëpunimin me trajnerin, por që do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më tej në mënyra të ndryshme”.

Challandes tha se ishin kënaqësi vitet e kaluara me Dardanët: “Natyrisht që jam i pikëlluar për këtë vendim, pasi kam kaluar mirë këtu. Kemi pasur një qëllim që të vazhdojmë që të ndërtojmë një ekip konkurrues. Kisha kënaqësinë që kam punuar me këtë skuadër, por jam i pikëlluar që nuk do të jem më trajner i saj. Jam shumë, shumë i kënaqur me mbështetjen nga federata, me këtë staf që gjithmonë ka qenë besnik dhe në karrierën time si trajner, nuk kam pasur të tillë”.