Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur këtë të premte se legalizimi i kanabisit është vendim i dëmshëm dhe do të thotë legalizim të krimit.
“Legalizimi i kanabisit, vendim i dëmshëm i kryeministrit Rama. Ky vendim është vendim për legalizimin e krimit, drogës, vrasjeve, drogimin e të rinjve dhe popullatës, rrënimin e shëndetit fizik dhe mendor si dhe të identitetit të shqiptarëve, reputacionit të tyre”, tha Berisha.
Ish-kryeministri tha se studimet botërore kanë faktuar se kanabisi krijon probleme serioze strukturore dhe në procese të trurit.
Ai u shpreh se legalizimi i kanabisit është një akt i pamenduar nga Rama dhe se do të dëmtojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Të legalizosh kanabisin në Shqipëri, vend i etiketuar në mënyrë të përsëritur në mediat botërore si Kolumbi e Europës apo kanabistan, do të thotë të shkelmosh reputacionin e këtij vendi, ta bësh kanabisin simbol të Shqipërisë, e cila vetëm në biodiversitetin e saj me speciet e bimëve aromatike ka bimë dhjetëra herë më të kushtueshme se kanabis me të cilat mund të ngrihet një industri e fuqishme kozmetike, parfumesh, kremërash etj., dhe Edi Rama për shkaqe personale, zgjedh kanabisin për ta bërë simbol të shqiptarëve. Vendimi i tij është një akt shumë i pamenduar pasi ju garantoj se dëmton mundet dhe palcërisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Është një kalkulim shumë i gabuar sepse për Europën, për fqinjët tanë dhe Shqipërinë, kanabisi shqiptar është krim dhe vetëm krim. Në një moment kur po krijohej një klimë pozitive për hapjen e negociatave, mesazhi që çon ky drejt fqinjëve dhe partnerëve është se do të legalizojë kanabisin, paçka se vetëm Italia mund të shpenzojë për mbrojtjen e bregut të saj qindra në mos edhe miliarda Euro”, u shpreh Berisha.