Bomba atomike shpërthen në ceremoninë e çmimeve Oscar. Openheimer, biografia mbi garën për të ndërtuar bombën e parë bërthamore, rrëmbeu plot 7 çmime Oskar, përfshirë atë më prestigjiozin, si filmi më i mirë, teksa Hollivudi kurorëzoi një vit triumfues në industri.
Irlandezi Cillian Murphy u shpall si aktori më i mirë protagonist për rolin e fizikantit teorik J.Robert Oppenheimer, udhëheqësi i përpjekjes amerikane për të krijuar armën që i dha fund luftës së dytë botërore në vitet 40-të.
Regjisori i filmit, Christopher Nolan mori statuetën e tij të parë të Akademisë për regjinë më të mirë.
“Filmat janë pak më të vjetër se 100 vjeçarë. Nuk e dimë se ku do të na çojë ky udhëtim i jashtëzakonshëm, por fakti që ju mendoni se unë jam një pjesë e rëndësishme, do të thotë botën për mua”, tha Nolan.
“Në të mirë dhe të në keq, ne të gjithë jetojmë në botën e Oppenheimer kështu dua t’ia kushtoj Oskarin paqeruajtësve kudo”, tha Cillian Murphy.
Oppenheimer i dha Oskarin e tij të parë edhe aktorit, Robert Douneyjr, i vlerësuar si aktori më i mirë në rol dytësor.
Sakaq, Ema Stone, rrëmbeu përherë të dytë statuetën më të lakmuar në industri, si aktorja më e mirë protagoniste, për interpretimin në komedinë e zezë, “Poor Thing”. Oskarin e parë, aktorja e fitoi për muzikalin, La La Land në vitin 2016.
“Oh Zot, kjo është vërtet tronditëse. Zëri im ka ikur, por s’ka gjë. Gratë në këtë skenë, ato që janë kandiduar në këtë kategori janë të gjitha të mrekullueshme, dhe është një nder të ndaj këtë me ju”, tha Stone.
Da Vine Joy Randolph, triumfoi në kategorinë e aktores më të mirë në rol dytësor, për rolin në The Holdovers.
Barbie, e mbylli mbrëmjen me vetëm një çmim, atë për këngën më të mirë origjinale, të Billi Eilish dhe Finneas O’Connell.
Thirrje për paqe erdhën nga Jonathan Glazer, drama për holokaustin e të cilit, ‘Zona e interesit” u shpall si filmi më i mirë i huaj. Pasi 2023 u shënjua nga grevat e aktorëve dhe skenaristëve, ceremonia e 96-të e çmimeve Oskar, i dha Hollivudit mundësinë për të festuar dy filmat më të suksesshëm, “Oppenheimer” dhe”Barbie,” të cilat arkëtuan një total prej 2.4 miliardë dollarësh në kinema, duk u shndërruar në epiqendër të kulturës pop verën e kaluar.