Nuk ka vonuar shumë dhe Serbia ka reaguar lidhur me alarmin e lëshuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se forcat serbe janë parë disa metra larg kufirit të Kosovës.
Nemanja Staroviç, Sekretar Shteti i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, pretendon se ky është një “pushtim imagjinar”, ndërsa vazhdon me retorikën dhe pretekstet e Vuçiç se me këtë, Kurti po mbulon ngacmimet ndaj serbëve të Kosovës.
“Për ta thënë edhe njëherë më qartë, ushtria e Serbisë nuk ka hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe kurrë nuk do ta bëjë, derisa kjo të lejohet nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së”, shkruan zyrtari serb në një status në X.
Staroviç përpiqet që të shpjegojë pamjet filmike të publikuara nga kryeministri i Kosovës duke pretenduar se ishin patrullime të rregullta të ushtrisë serbe përgjatë kufirit në koordinim të ngushtë me KFOR-in.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në Facebook, një video përmes së cilës pretendon se ushtarët serbë ndodhen në kufi me veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Ndonëse njofton se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti thotë se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal. Kurti thotë se Forcat e Armatosura të Serbisë po kryejnë stërvitje të rregullta në kufi me veriun e Kosovës, sipas tij me qëllimin e vetëm për të shkaktuar provokime.