Partitë e vogla jo parlamentare po përfitojnë nga mungesa e opozitës për të krijuar opozitën e re.
Pas partisë së Gjelbër, në KQZ u regjistrua për zgjedhjet e vendore të 30 qershorit edhe Partia Kristian Demokrate me kryetar Dhimitër Myslia.
Ndërkohë KQZ i dha sot mandatin e Endrit Braimllarit Edmond Rrushit, i cili ndodhet i dhjeti në radhë në listën e LSI.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha gjithashtu Aurora Mares mandatin e lënë nga Përparim Spahiu në Qarkun e Dibrës.
Ndërsa në Elbasan mandatin e LSI të Edmond Haxhinastos e mori kandidati që vjen pas tij Enver Roshi.
Në Qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi u zëvendësua nga kandidati i listës së LSI, Ylli Shehu.
Të premten e kaluar, 4 kandidatët nga lista e LSI dorëzuan formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të nisur edhe procedurat për marrjen e mandatit.
Këta 4 deputetë të rinj do t’i bashkohen 2 deputetëve Myslim Murrizi i PD dhe Lefter Koka i LSI që nuk pranuan të dorëzojnë mandatin.
Por numri i deputetëve që vjen nga kjo parti në Qarkun e Tiranës pritet të rritet, pasi edhe Ralf Gjoni nuk e ka mohuar marrjen e mandatit.
Zhvillime pati dhe nga demokratët.
Lefter Maliqi dorëzoi sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.
Nga PD, Zana Prela, Ligoraq Karamelo dhe Lefter Maliqi nuk kanë firmosur dorëheqjen nga mandatit.