Partia Socialiste do të përfshijë në garën e 30 qershorit për bashkitë 5 deputetë të saj.
Dy javë para shpalljes zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet vendore në kongresin e 23 marsit, gazeta ‘Panorama’ publikon emrat e shumicës së kandidatëve. Një pjesë rikandidojnë, ndërsa pjesa tjetër garojnë për herë të parë.
Kështu, deputeti Pjerin Ndreu kandidon për bashkinë e Lezhës, e cila aktualisht drejtohet nga Fran Frrokaj i PD.
Flamur Golemi në Gjirokastër, e drejtuar aktualisht nga Zamira Rami e LSI.
Ilir Xhakolli në Pogradec, aktualisht drejtohet nga Eduard Kapri i PD.
Safet Suli në Kamzë, aktualisht nga Xhelal Mziu i PD.
Nuri Belba për bashkinë e Përrenjasit, që drejtohet nga Miranda Rira e LSI.
Në kushte të tilla, pesë deputetët do të zëvendësohen nga emra të rinj nga lista e kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet e 2017-ës.
Po ashtu, për bashkinë Berat pritet të konfirmohet Ervin Demo, ish-zv.ministri i Arsimit i cili dha dorëheqjen pas publikimit të plagjiaturës së doktoraturës.
Në bashkinë e Delvinës PS do kandidojë Filip Xuzin, aktualisht drejtor i Postës shqiptare në Sarandë.
Një shqetësim mbeten dy bashkitë e mëdha, të Shkodrës dhe të Durrësit, për të cilat nuk është përcaktuar ende asnjë emër.
Sa i përket Shkodrës, edhe pse u përfol se do të kandidojë Senida Mesi, ish-zv.kryeministrja e shkarkuar në dhjetor, duket se nuk ka kaluar pozitivisht sondazhet e kryera nga PS në këtë bashki.
Edhe Saranda nuk ka përcaktuar kandidatin zyrtar, por përfliten deputeti Alket Hyseni, Adrian Gurma, nënprefekti i Vlorës, Stefan Çipa dhe kryetarja aktuale Floriana Koka.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka konfirmuar disa prej kandidatëve.
I fundit është Armando Subashi në Fier, i cili garon për një mandat të dytë.
Pak ditë më parë konfirmoi Erion Veliajn për Tiranën, po ashtu për një mandat të dytë. Po ashtu, ai konfirmoi edhe Sotiraq Filon në Korçë dhe Dritan Lelin në Vlorë. Safet Gjici do kandidojë për bashkinë e Kukësit, Gledian Llatja për Elbasanin, pasi Qazim Sejdini u tërhoq për një tjetër mandat.
Gjithashtu, janë konfirmuar për një tjetër mandat Tërmet Peçi në Tepelenë, Drec Dedaj në Mirditë, Kastriot Gurra në Librazhd, Fatos Tushe në Lushnje etj.
Burimi: Panorama