Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra deri në dënim me burg për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë në stadiume.
Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes FSHF-së dhe qeverisë shqiptare me temë: “Siguri-Reformim-Modernizim”, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Sportit, drejtues të FSHF-së, drejtues të klubeve elitare të futbollit shqiptar, kreu i qeverisë tha se duhet të ndryshojë menjëherë kodi penal dhe të marrë fund kjo maskaradë sipas tij.
“Ne do ndërhyjmë menjëherë në kodin penal dhe kapërcimi i vijave të bardha, drejt tapetit të gjelbër, do dënohet me 3 vjet burg, jo me gjobë, por me burg. Kush kalon vijën e bardhë, është një kërcënim fizik për ata që po ushtrojnë detyrën e tyre, qoftë për futbollistët e qoftë për gjyqtarët. Kemi domosdoshmërinë që ta bisedojmë dhe aplikojmë këtë nismë ligjore, – u shpreh Rama. – Po ashtu, do të ketë përjashtim përjetë të atyre që shkelin vijat e bardha, ky do jetë hapi i parë që duhet të bëjë Parlamenti pas ndryshimit të kodit ligjor”.
Ai tërhoqi një paralele me Britaninë e Madhe në vitin ’89, ku një masë e tillë nga kryeministrja britanike e asaj periudhe, Margaret Thatcher, u mor për të parandaluar dhunën dhe që ishte efikase për ata që shkelnin ligjin.
Rama u tregua i angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje, duke theksuar se duhet të arrihet në një dokument reforme të futbollit.
“Kemi nevojë jo për zgjidhjen e një emergjence, por për të vendosur një bazë pa kthim në raport me dhunën. Policia e shtetit dhe FSHF-ja mos ia lënë topin njëra-tjetrës, por të bashkëpunojnë ngushtë. Di që ka një pengesë ligjore për hyrjen në stadiume, se ligji nuk e lejon dhe se kthimi i policisë në stadiume do kërkonte amendimin e këtij ligji, si dhe vendimin e posaçëm të qeverisë, por kjo nuk është një mënyrë për t’u fshehur pas gishtit”.
Kreu i qeverisë e konsideron si të domosdoshme vendosjen e kamerave të sigurisë në stadiume nga ana e klubeve të futbollit.
“Dhuna nuk është vetëm çështje e policisë. Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe duhet të garantohet monitorimi i stadiumeve me kamera, klubet të detyrohen të pajisin impiantet me kamera që t’i japë mundësi policisë të identifikojë keqbërësit në stadium dhe të bëjë që prokuroria të mos kthejë kërkesat e gjykatës me prova”, tha ai.