Plovdiv, ashtu si Matera, është zgjedhur Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2019.
Është një qytet i cili ndërthur historinë antike dhe modernitetin.
Gjatë këtij viti janë parashikuar të zhvillohen aktivitete të shumta, të cilat do të shoqërohen nga slogani “Së bashku” që spikat ndërkohë që ecën në pedonalen Knyaz Aleksandar.
Ju mund të argëtohen në rrugicat e lagjes Kapana, duke provuar tapas tërësisht bio dhe një numër të madh birrash të prodhuara në mënyrë artizanale.
Janë të shumta veprat e realizuara nga artistët e rrugës, të autorizuara nga bashkia, që i japin ngjyra dhe gjallëri mjedisit të qytetit. Qyteti ndriçohet edhe më shumë nga dritat e dyqaneve, shumë prej të cilave shesin produkte vintage dhe hipster.
Masat e turistëve përqendrohen në rrugën e madhe tregtare, që fsheh një thesar kulturor me vlerë të jashtëzakonshme. Ajo është ndërtuar sipër Amfiteatrit Filippopolis, një arenë e periudhës romake të shekullit II, e ristrukturuar tërësisht, me kapacitet 6 mijë vende. Kjo është një mënyrë për të hyrë në kontakt me historinë e vendit, kultura e të cilit përfaqëson temën kryesore të Plovdiv 2019.
Qyteti karakterizohet nga 7 kodra të mrekullueshme, një nga të cilat është Nebet Tepe, ku shtrihet qyteti i vjetër, me shumë shtëpi të vjetra që përbëjnë një tërheqje turistike. Një lloj muzeu në qiell të hapur, me ndërtesa që datojnë në shekullin e XIX, një ndërthurje e kulturës së Lindjes me atë të Perëndimit, që e ka karakterizuar ndër shekuj Plovdiv.
Plovdiv është qyteti i dytë më i madh në vend dhe një ndër qytetet në të vjetra që është banuar vazhdimisht në Europë. Është një qytet modern dhe dinamik, që shërben si një qendër administrative, akademike dhe tregtare dhe më shumë akoma për pjesën jugore të Bullgarisë.
“Me zgjedhjen si Kryeqytet Europian i Kulturës, qyteti i Plovdiv ka dy objektiva kryesorë” – thotë nënkryetari i Bashkisë Stefan Stoyanov – të bëhet më i njohur, veçanërisht për turistët europianë dhe më atraktiv. Po ashtu, të dyfishohet edhe numri i turistëve. Këtë vit presim që qytetin ta vizitojnë rreth 2 milionë turistë”.
Pse duhet ta vizitoni Plovdiv
“Së pari për gjithë aktivitetet që do të mbahen gjatë këtij viti, – thotë Stoyanov – festivale muzikore, operistike… Pastaj Plovdiv është një ndër destinacionet më të mira për t’u vizituara pasi nuk është i shtrenjtë, nuk ka dyndje turistësh, por nga ana tjetër në qytet jetojnë thuajse gjysmë milion banorë. Është një qytet mjaft dinamik”.
Çfarë duhet të shihni patjetër? Qytetin e vjetër të Plovdiv
Këtu turistët mund të shëtisin dhe të admirojnë shtëpitë e bukura të periudhës së Rilindjes. Në një nga këto shtëpi ndodhet Muzeu Etnografik i qytetit. Qendra historike e Plovdiv është përfshirë në listën e vendeve të UNESCO-s si Trashëgimi Botërore e Njerëzimit në fund të 2004-s.
“Plovdiv është një qytet unik – thotë Rumyana Titeryakova. – Ka një histori të gjatë, një kulturë të jashtëzakonshme dhe një qendër të bukur historike. Ka edhe shumë restorante dhe struktura të mira sportive. Është një qytet antik me një shpirt të ri”.
Në qytetin e vjetër ju mund të shihni edhe shumë artistë dhe artizanë. Turistët mund të blejnë produkte në qeramikë dhe veshje tradicionale, si ato që shet për shembull Elena Dramova. “Përdor metoda dhe teknika tradicionale, – thotë ajo, – por përpiqem ta bëj atë në mënyrë moderne. Bëj shalle, këmisha apo shami në forma tradicionale, por të përshtatura për gratë e kohërave të sotme”.