Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të mërkurën urdhra ekzekutivë për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të vendit me Meksikën për të penguar imigrimin e paligjshëm. Urdhrat kufizojnë gjithashtu pranimin e refugjatëve në vend. Presidenti do të përballet me autoritetet e qyteteve amerikane që marrin në mbrojtje imigrantët pa dokumente.
Presidenti i ri pritet të bëjë një vizite në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, agjencia federale e ngarkuar për mbrojtjen e kufirit si dhe të ndërmarrë veprime të tjera në ditët e ardhshme.
Urdhërat ekzekutivë do të shërbejnë për të ritheksuar një nga temat kryesore që i dhanë zotit Trump një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, pohimin e tij se emigrantët e paligjshëm kërcënojnë sigurinë e vendit dhe u kushtojnë punëtorëve amerikanë vendet e punës. Gjatë mitingjeve të shumta të fushatës, mbështetësit e tij thërrisnin vazhdimisht “Të ndërtojmë murin!”.
Hollësitë e urdhrave ekzekutivë për imigracionin ende nuk janë të qarta, por zoti Trump po shqyrton mundësinë e një bllokimi për katër muaj të pranimit të refugjatëve në vend, si dhe ndalimin për të paktën 30 ditë të hyrjes në SHBA të çdo personi nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni – vende këto me shumicë myslimane. Pritet të përjashtohen pakicat fetare që përballen me përndekje në këto vende.
Ndërkohë, administrata e re po përpiqet të vendosë se si do të veprojë me urdhrin e ish presidentit Barack Obama, që lejon fëmijët e imigrantëve të cilët kanë hyrë ilegalisht në SHBA bashkë me prindërit, të qëndrojnë në vend dy vjet pa u deportuar.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Spicer tha se zyrtarët e administratës së re do t’i shqyrtojnë rastet e fëmijëve pa dokumente në mënyrë humane.
Gjatë fushatës, zoti Trump deklaroi se të gjithë ata që kishin hyrë në SHBA ilegalisht do të ishin objekt deportimi, por më vonë ai e zbuti qëndrimin, duke thënë se fillimisht vetëm personat me të kaluar kriminale do të deportoheshin, ndërsa ata që zbatonin ligjin do të shqyrtoheshin më vonë./VOA