Ushtria romake (e drejtuar shpesh nga gjeneralë ilirë) ishte arkitektja kryesore e madhështisë së Romës, por për legjionet romake nuk dihet ende mjaftueshëm.
Efikasiteti i jashtëzakonshëm i ushtrisë u sigurua nga organizimi në legjione (25 në shekullin e parë, secili me më shumë se 5000 ushtarë), të ndarë në grupe dhe centurione. Stërvitja e rreptë siguronte aftësi të madhe manovrimi për formacionet, të mbështetur në fushën e betejës prej makinave të luftës (katapulta, etj). Nga emri, paga, e deri tek mënyra e stërvitjes, 10 fakte që nuk i dini mbi legjionet romake.
1- EMRI. Termi legjion vinte nga fjala lego, që do të thotë mblidh, zgjidh. Pra, legjioni ishte një seleksionim njerëzish të aftë për profesionin e armëve.
2-CENTURIONËT. Sipas disa studiuesve, është Gaio Mario përgjegjësi i lindjes ushtrisë profesioniste. Ishte ai, që rreth vitit 100 para Krishtit, transformoi organizimin e legjioneve, duke i bërë një makinë të fuqishme lufte.
Në këtë fazë centurionët nisin të marrin më shumë rëndësi në formimin e rangut të mesëm të hierarkisë ushtarake. Çdo centurion komandonte centurian, që përbëhej nga 100 ushtarë.
3- SHENJAT. Gjithnjë sipas reformës mariane, shqiponja u bë një shenjë shquese për legjionet. Ndërkohë që çdo legjion i përveçëm kishte edhe simbolin vetjak.
Për shembull, Legjioni I Italik, i themeluar nga Neroni në vitin 67 me seli në Francë kishte si simbol derrin e egër. Ndërsa ujkonja me binjakët ishte simboli i Legjionit II Italik, i themeluar nga Marco Aurelio.
4- PAGA. Rroga ishte deri diku e ulët, por dhënia e tokave në fund të karrierës e bënte veteranin një pronar të vogël.
Në ilustrim është një legjionar i Legjionit të III Flaviae felicis, i epokës trojane, i armatosur rëndë, një imazh ky që ka hyrë në kujtesën kolektive.
5- MARATONOMAKËT. Zakonisht një legjionar romak ishte i aftë të udhëtonte 20 milje (30 km) në pesë orë, me hap të zakonshëm (gradus militaris) dhe me pajisje komplete: ushqim, mjete, armë, veshje mbrojtëse, përkrenare dhe pilum (shtizë romake), në total 35 kg!
Ndërsa kur rritej marshi, i ashtuquajtur hap i shpejtë (gradus plenus) ata arrinin të udhëtonin për të njëjtën kohë 24 milje (35,5 km). Stërvitja e përditshme me marshim pesë orësh ishte e nevojshme për të plotësuar të ashtuquajturën iustum iter, pra një marshim i një transferimi të zakonshëm, pa presionin e armikut ose të urgjencave të veçanta.
6- KAMPI I MARSHIMIT. Ndërsa e përgatisnin, legjionarët punonin në kohë të plotë edhe në planin e betejës, me mburojë, shtizë dhe përkrenare në dorë.
Hyrja në kampin e fushës, edhe pse e realizuar me kujdes të madh, ishte e konceptuar edhe për një largim të shpejtë dhe masiv, por me disiplinë.
Në fakt strategjia e sulmit dhe filozofia taktike e ushtrisë romake parashikonte impenjim të menjëhershëm frontal kundër forcave armike, edhe në kushte inferioriteti. Pra, “të gjithë jashtë, me shpejtësi në sulm”.
7-TË PANDALSHËM. Legjionet romake ishte mjeshtre në artin e përballimit të një beteje fushore falë disiplinës së tyre, stërvitjes dhe rreshtimit efikas. Por me kalimin e kohës u bënë të pakalueshëm edhe në artin e rrethimit. Disa makina rrethimi ishin aq të mëdha sa për t’i manovruar duheshin nganjëherë edhe 100 burra.
Në imazh është kulla e Elepolit e ndërtuar prej druri, mbuluar edhe më lëkurë dhe materiale të tjera të pangjitshme. Në të kishte makina hedhëse, harkëtarë dhe mbi të gjitha ushtarë të armatosur të gatshëm për të kaluar murin dhe për të dalë në krah të armikut nëpërmjet një vendkalimi të lëvizshëm.
8- DITA E NJË LEGJIONARI. Lodhja dhe masat e rrepta shenjonin aktivitetin ditor të legjionarëve romakë. Zgjim para agimit, mëngjes (prandium) me bazë drithërash dhe buke, shoqëruar me verë ose birrë dhe gjatë kësaj kohe ndaheshin edhe detyra për secilin legjionar. E sapo ndaheshin rolet për ditën, ushtarët shpërndaheshin dhe shkonin në vendin e caktuar.
Shërbimet e tyre ishin nga më të ndryshimit, që nga eskorta ruajtëse e një perfekti, tek punët që duhej të bënin në spital, e ndërsa disa të pafat iu takonte të pastronin banjot, disa të tjerë në ndërtimin e rrugëve, disa në shërbim të kafshëve, e deri tek punimet civile dhe ato të mirëmbajtjes.
Kush nuk kishte detyra të përcaktuara, stërvitej dhe marshonte. Kur ishin në mision, sapo mbaronin marshimin i dedikoheshin ndërtimit të kampit të mbrojtur. Ishte një operacion që kërkonte dy ose tre orë kohë, fondamental për sigurinë e burrave.
9- STËRVITJA. Burrat e legjionit që nuk kishin shërbime të veçanta ose që i kishin përfunduar, stërviteshin me një program fizik intensiv ushtrimesh në Fushën e Marsit.
Stërvitja niste me përsëritjen e ushtrimeve me armë prej druri deri në organizimin e një simulimi të një beteje. Nuk mungonin edhe manovrat për t’u njohur me formacione komplekse sulmi ose me ushtrime në artileri.
10-DARKA DHE PUSHIMI. Në një kamp provizor ose në një kështjellë, dita përfundonte me ardhjen e muzgut. Mes shokëve përgatitej darka që nuk ishte e ndryshme nga mëngjesi, por nganjëherë merrej pak mish, zakonisht derri ose vici; ndërsa nganjëherë mund të kishte edhe mish pule, deleje, ose edhe të kafshëve të egra, nëse dikush gjatë ditës ishte marrë me gjueti.
Pas darkës ishin të lirë për të luajtur, biseduar, dhe me disa kufij edhe për të lëvizur me gjetur “shoqëri”. Pastaj shkonin të flinin në shtratin e tyre, me siguri në tokë kur ishin në fushë, dhe ndoshta me shtrat marinari kur ishin në garnizon.