Shtatë shtetas shqiptarë e 1 femër italiane janë vënë nën pranga nga policia italiane me akuzën e trafikut të drogës e të armëmbajtjes pa leje.
Shqiptarët e arrestuar janë pothuajse të gjithë nga familjes shqiptare Proshka e Ajazi të njohura nga autoritetet italiane si të lidhur me botën e krimit.
Operacioni është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në territorin e provincave të Como, Brianza, Monza, Milano, Rimini e Varese.
Përgjimet telefonike, si dhe ato ambientale në automjetet e të arrestuarve kanë zbardhur aktivitetin e tyre në trafikun e heroinës, kokainës, marijaunë e hashash të trafikuar kryesisht nga vendet e ulëta.
Ky operacion është një vazhdim i operacionit të ekzekutuar në shtator të 2018 i cili çoi në arrestimin e 23 personave, 22 shqiptarë e një femër rumune të akuzuar për trafik prostitucioni ndaj mjaft vajzave me origjinë shqiptare, rumune, bullgare, polake e hungareze.
Gjatë operacionit janë ekzekutuar dhe mjaft kontrolle banesash e janë sekuestruar një revolver me numër serie të shuar, dy mitralozë të vegjël e një pistoletë gjysëm automatike.
Policia Italiane bën me dije se hetimet janë zhvilluar në periudhën kohore dhjetor 2017- shkurt 2018.
Operacioni është koordinuar nga Prokuroria e Komos./Ora News