Përdorimi i sistemit VAR në futboll ende nuk ka gjetur konsensus të plotë, por pavarësisht rasteve sporadike dyshuese, është e qartë që i ka minimizuar gabimet e arbitrave.
Ish-arbitri legjendar italian, karizmatiku Pierluigi Collina, këmbëngul se të apasionuarit e lojës duhet të mendojnë për të ardhmen e futbollit me VAR-in. Sipas tij, teknologjia e re sjell më shumë emocione në këtë lojë.
“Në parim, u mendua të ishte një ndihmë e thjeshtë vizuale për gjyqtarin. Një nga problemet më të mëdha ishte besueshmëria, por koha e reagimit të teknologjisë ka përparuar vite-dritë. Ajo që zgjat një minutë sot, mori pesë minuta në vitin 2014, gjatë provave tona të para. Po punojmë vazhdimisht dhe teknologjia që do të kemi në pesë vite mund të jetë krejtësisht e ndryshme nga ajo që shohim tani”, tha Collina.
Koha inaktive derisa nëpërmjet sistemit “VAR” të marrë një vendim, ka qenë shqetësimi i madh i tifozëve, por vonesat janë reduktuar ndjeshëm që nga Kupa e Botës 2018.
“Askujt nuk i pëlqen të presë. Hap i madh përpara do të ishte nëse krijojmë një program, duke përdorur inteligjencën artificiale, që menjëherë të zgjedhim më së shumti 20 kënde të ndryshme kamerash. Unë nuk mendoj se VAR e vret emocionin e një festimi të golit, përkundrazi e shton atë. Ju mund të festoni dy herë, kur shënoni dhe kur goli është konfirmuar nga teknologjia”, theksoi ai.