Juventus do të presë nesër Bolonjën në “Allianz Stadium”. Në kuadër të ndeshjes, numri një i pankinës bardhezi ka folur në konferencë përpara mediave.
Sarri ka diskutuar për ndeshjen dhe kundërshtarin, për të cilët foli fjalë të mira. Në fund edhe një urim për Mihajlovic, për të cilin italiani u shpreh se shpreson ta shohë në stol nesër.
SKEMA – “Në varësi të kundërshtarit dhe të situatës, ne vendosim nëse luajmë me 4-3-1-2 apo me 4-3-3. Lojtarët duhet të jenë gati për të dy formacionet, ashtu siç kanë qenë deri tani.”
TË DËMTUARIT – “Për fat të mirë Danilo dhe Ramsey janë kthyer. Douglas Costa dhe De Siglio po punojnë dhe po ecin me hapa të shpejt për t’u rikthyer, por akoma nuk janë bashkuar me grupin.”
EKIPI – “Renditja nuk ka rëndësi tani. Dua nga ekipi që të përqendrohet dhe të bëjë një performancë dhe ndeshje të mirë. Është e vështirë pas ndeshjeve të kombëtareve, pasi duhet ta nisësh nga e para dhe ka shumë rreziqe.”
SULMI – “Dybala dhe Higuain mund të luajnë të dy ndaj Bolognas. Për Cuadradon mendoj se do të vazhdojë të stërvitet si mbrojtës. Nga ana taktike po përmirësohet shumë. Duhet të bëjë më shumë stërvitje në rolin difensiv dhe jo në atë ofensiv.”
BOLONJA – “Bolonja është një ndër ekipet që më ka impresionuar më së shumti në këtë pjesë të parë të sezonit. Shpresoj që nesër ta shoh në stol Sinisa Mihajlovic.”