Sport Ardian Mema largohet nga Tirana, garë dyshe për stolin e bardhebluve

Ardian Mema largohet nga Tirana, garë dyshe për stolin e bardhebluve

Mbrëmjen e të enjtes Ardian Mema mbylli përfundimisht aventurën e tij me Tiranën që zgjati pothuajse një vit. Trajneri dhe presidenti Refik Halili pas humbjes ndaj Bylisit arritën marrëveshjen për prishjen e kontratës e cila e shty me disa javë pasi largimi i Memës mund të kishte ardhur që pas barazimit 2-2 ndaj Flamurtarit në Vlorë.

“KF Tirana dhe Ardian Mema kanë gjetur marrëveshjen për të mbyllur bashkëpunimin. Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, trajneri Mema nuk do të jetë më në krye të bardhebluve. KF Tirana e falënderon trajnerin Ard Mema për kontributin 1-vjeçar në krye të skuadrës”, njoftoi sot “KF Tirana”.

Pavarësisht fillimit shumë të mirë që i bëri sezonit, Tirana e mbylli fazën e parë me 14 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje dhe ishin rezultatet ato që dënuan Ardian Memën. Futbollistët nuk po i përgjigjeshin më trajnerit siç deklaroi edhe vetë ai në intervistën për Supersport pas ndeshjes ndaj Bylis dhe kjo është arsyeja kryesore që solli ndërprerjen e bashkëpunimit mes tij dhe presidentit të Tiranës Refik Halili.

Numri 1 i bardhebluve tashmë duhet të mendojë për pasuesin e Memës dhe kandidaturat më të forta janë dy. Bëhet fjalë për Bledar Devollin dhe Julian Ahmatajn. Dy trajnerë të rinj, por me perspektivë të madhe pasi e kanë treguar veten që dinë të arrijnë rezultate edhe me skuadra të vogla siç ndodhi vjet me Luftëtarin dhe Kastriotin. Të dy trajnerët të cilët kanë qenë pjesë e Tiranës edhe si futbollistë aktualisht janë pjesë e stafit të bardhebluve pasi Devolli drejton Tiranën U-19 ndërsa Ahmataj Tiranën U-17.