Bota Abuzimet seksuale me fëmijët, Papa Françesku: Kjo është koha e turpit, katolikët...

Abuzimet seksuale me fëmijët, Papa Françesku: Kjo është koha e turpit, katolikët në Francë të mbajnë përgjegjësi

Papa Françesku e konsideron një moment turpi për kishën katolike gjetjet e raportit të Komisionit të Pavarur mbi Abuzimin Seksual të klerikëve francezë, ku pasqyrohen të dhëna dramatike, që përfshijnë periudhën nga viti 1950 e në vijim.

Papa Françesku tha të mërkurën se ishte i pikëlluar dhe i turpëruar nga paaftësia e Kishës Katolike për t’u marrë me abuzimin seksual të fëmijëve në Francë dhe se Kisha duhet ta bëjë veten një “shtëpi të sigurt për të gjithë”.

“Dëshiroj t’u shpreh viktimave trishtimin dhe dhimbjen time për traumat, që kanë pësuar, si edhe turpin tim, turpin tonë, turpin tim, për paaftësinë tepër të zgjatur të Kishës që t’i vendosë në qendër të shqetësimeve të saj. U siguroj atyre lutjet e mia. Lutem e të lutemi të gjithë së bashku: ‘Ty, o Zot, lavdia, neve turpi’: kjo është koha e turpit”.

Më tej ai inkurajoi ipeshkvijtë dhe që të vijojnë të gjitha përpjekjet që tragjedi të tilla të mos ndodhin më.

“U shpreh meshtarëve të Francës afërsinë dhe mbështetjen atërore përballë kësaj sprove – të vështirë, por të shëndetshme – dhe i ftoj katolikët francezë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për të garantuar që Kisha të jetë shtëpi e sigurt për të gjithë”.

Reagimi i Papës erdhi një ditë pasi një hetim i madh zbuloi se kleri francez kishte abuzuar me më shumë se 200.000 fëmijë në 70 vitet e fundit, Papa ftoi katolikët në Francë të merrnin përgjegjësinë për atë që kishte ndodhur.

Një raport i publikuar, mbi abuzimin seksual në Kishën Katolike të Francës tha se rreth 216 mijë fëmijë ishin viktima të abuzimit që nga viti 1950.

Dokumenti prej 2.500 faqesh i përgatitur nga një komision i pavarur u botua të martën dhe dokumenton dekada abuzimesh dhe fshehje krimesh.

Presidenti i komisionit, Jean-Marc Sauvé, tha në shtypin francez se rreth 3 mijë abuzues të fëmijëve, dy të tretat e tyre priftërinj, kanë punuar në kishë gjatë 70 viteve të fundit.