Aktualitet Aksidenti me katër viktima në Tepelenë, arrestohet shoferi 46-vjeçar i BMW-së

Aksidenti me katër viktima në Tepelenë, arrestohet shoferi 46-vjeçar i BMW-së

Policia e Gjirokastrës, në vijim të hetimeve për aksidentin e rëndë me 4 viktima, të mbrëmjes së kaluar, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, ka vënë në pranga një prej drejtuesve të mjeteve.

Specialistët për Trafikun Urban arrestuan në flagrancë drejtuesin e mjetit “BMW” të përfshirë në këtë aksident, E. P., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Si pasojë e aksidentit të rëndë, një prej drejtuesve të mjeteve ndërroi jetë në vendin e ngjarje, ndërsa tre persona të tjerë u dërguan me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërruan jetë.

Në këtë aksident të rëndë kanë ndërruar jetë Riza Rapaj, drejtuesi i mjetit tip “Benz”, Ladi Bega, drejtuesi i mjetit “Toyota” dhe bashkëshortja e tij, Lefteri Bega, si dhe Afërdita Bega.

Gjithashtu, si pasojë e përplasjes së fortë të tre mjeteve, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është Andi Shkurta, i cili mban pozicionin e drejtorit të ARRSH-së në Gjirokastër. Dy të plagosurit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.