Aktualitet Aksidentoi për vdekje të afërmin për vrasjen e babait 14 vjet më...

Aksidentoi për vdekje të afërmin për vrasjen e babait 14 vjet më parë, gjykata e lë në burg

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 41-vjeçarin, Myslim Estrefi, i cili përplasi me makinë për vdekje bashkëfshatarin e tij (të afërm me njëri-tjetrin), Shaqir Estrefi, 57 vjeç.

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet 41-vjeçari u regjistrua mesditën e së shtunës rreth orës 15:00, në fshatin Romanat, rreth 20 kilometra në lindje të qytetit të Durrësit.

Fillimisht, Myslim Estrefi, e ka raportuar ngjarjen si aksidentale pranë Policisë, por hetimet kanë treguar se bëhej fjalë për një vrasje me dashje për hakmarrje, pasi 14 vite më parë, babai i viktimës, Qamil Estrefi, pati vrarë babanë e autorit, Zydi Estrefi.

Mësohet se në momentin e ngjarjes, 41-vjeçari ishte duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, pasi gjatë drekës kishte konsumuar alkool.

Ngjarja

Mësohet se viktima, babai i 4 fëmijëve, kishte vetëm 3 ditë që ishte kthyer nga italia. Estrefi qëndronte në Itali si emigrant. Kthimi i tij në fshatin Romanat të Durrësit i ka bërë përshtypje Myslym Istrefit, i cili ka filluar të verë në zbatim një plan për vrasjen e hasmit të tij. Ai ka vendosur të përdorë makinën e tij tip “Fiat Uno”, me qëllim goditjen e babait të 4 fëmijëve.

Para sulmit me makinë, Myslym Istrefi është ulur në një lokal dhe ka konsumuar alkool. Ai është dehur dhe gjatë kësaj kohe ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Shaqir Estrefit. Sapo ky i fundit është drejtuar në rrugë për të shkuar në banesë, prapa tij ka shkuar me makinën tip “Fiat Uno” Myslym Istrefi, i cili e ka goditur me shpejtësi duke e lënë të vdekur në vend Shaqirin.