Bota Rritja e numrit të të prekurve me Covid, Çekia mbyll shkollat dhe...

Rritja e numrit të të prekurve me Covid, Çekia mbyll shkollat dhe bar-restorantet  

Republika Çeke nga e mërkura do të zbatojë një varg masash kufizuese pas rritjes së numrit të të prekurve nga koronavirusi. Deri të hënën numri i vdekjeve arriti në mbi një mijë veta.

Kryeministri Andrej Babish tha se të gjitha baret, restorantet dhe klubet do të jenë të mbyllura që nga e mërkura, ndërsa është ndaluar edhe alkooli në vendet publike.

Kryeministri tha se të gjitha shkollat do të jenë të mbyllura deri më 2 nëntor, me përjashtim të shkollave ku mësojnë fëmijët e mjekëve, infermierëve dhe pjesëtarëve të ekipeve të shpëtimit.

Qeveria gjithashtu ka kufizuar në gjashtë numrin e njerëzve që mund të mblidhen në një vend dhe e bëri të detyrueshme mbajtje e maskave edhe në stacionet e transportit publik.

Masa e reja kufizuese përfshijnë mbylljen e të gjithë teatrove, kinemave, kopshteve zoologjike, muzeve, galerive të artit, qendrave të fitnesit dhe pishinave publike.

Gjithashtu, janë ndaluar të gjitha veprimtarive sportive në mjedise të mbyllura, ndërsa në mjedise të hapura në veprimtari sportive mund të marrin pjesë deri në 20 persona.

Sipas të dhënave të qeverisë, deri të hënën janë konfirmuar 119 mijë e 7 raste me 1 mijë e 45 të vdekur. Prej tyre, 256 veta humbën jetën gjatë javës së kaluar.

Qeveria është vënë në përpjekje që të shmangë përsëritjen e kufizimeve të rrepta të vendosura në pranverë, të cilat e çuan ekonominë në një tkurrje të thellë. Përgjatë verës pati një zbutje të kufizimeve pasi vendi kaloi valën e parë të pandemisë me shumë më pak raste sesa fqinjët perëndimorë.