Aktualitet Aksioni i parë i Anti-KÇK: Sekuestrohen pronat e Altin Hajrit

Aksioni i parë i Anti-KÇK: Sekuestrohen pronat e Altin Hajrit

Një kompleks shërbimesh dhe një pikë karburanti në pronësi të Altin Hajrit, një prej personave të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës, janë dy pasurisë e sekuestruara të parat nga Operacioni Forca e Ligjit, të ndërmarrë pas miratimit të ligjit special nga e Qeverisë.

“Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden” dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Hajri rezulton gjithashtu i dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15.08.2015, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special. Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Policia sqaron se tanimë, në përputhje me ligjin e ri, dosja pasurore e Hajrit do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri. Pas konfiskimit, pasuria në fjalë i kalon përfundimisht Ministrisë së Brendshme, e cila do të vendosë për shfrytëzimin ose shembjen e këtij objekti, si edhe do të marrë në zotërimin e saj dhe do të përdorë për interesin publik paratë, makinat dhe tokat që aktualisht zotërohen nga ky shtetas.

Mësohet se paraditen e së hënës u është dorëzuar formulari dhjetra subjekteve që sipas aktit normativ, do të kenë kohë 48 orë për të justifikuar të ardhurat dhe si janë krijuar këto biznese, pasuri të paluajtshme dhe automjete. Në bazë të informacioneve të mbledhura edhe nga drejtoritë në 12 qarqet e vendit, në policinë kriminale është krijuar edhe lista e personave që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe që kanë krijuar pasuri të jashtëligjshme.

Nga informacionet e para mendohet se janë rreth 250 subjekte të cilat do të kalojnë në filtrat e Operacionit Forca e Ligjit, dhe që kryesisht janë në qarqet më të mëdha të vendit.

Paketa ligjore mbi të cilën është ngritur kjo strukturë anti-KÇK, parashikon që për subjektet dhe bizneset të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë dhe të ardhurat, dosja e tyre do të shkojë në SPAK. Kësaj të fundit i jepet 15 ditë kohë, dhe 15 të tjera do i jepen Gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros.