Kryesore Ambasada amerikane, shuplakë gazetarisë shqiptare për rrjetin 5 G

Ambasada amerikane, shuplakë gazetarisë shqiptare për rrjetin 5 G

Ambasada amerikane ka reaguar në lidhje me rrjetin 5 G që pritet të implementohet edhe në Shqipëri gjatë vitit 2020. Sipas ambasadës disa media në Shqipëri nuk e kanë pasqyruar si duhet dhe kanë synuar të shtrembërojnë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G.

“Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj.

Faktet kanë rëndësi. “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese, që synon të shtrembërojë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G, nuk e ndryshon të vërtetën. Faktet janë këto: Shtetet e Bashkuara e mbështesin qasjen e matur dhe të përgjegjshme të Shqipërisë për rrjetin 5G. E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones e tha këtë javën e kaluar në Konferencën “Politika e Sh.B.A. në Ballkanin Perëndimor”: “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, shkruan ambasada amerikane në reagimin e saj.

Në 2020 Shqipëria do të nisë procedurat për futjen në përdorim të teknologjisë 5G, e cila mundëson internet të shpejtë përmes telefonave celulare dhe apo pajisjeve të tjera të lëvizshme, por ditën e djeshme pati polemika për këtë çështje, pasi sipas këtyre zërave futja e rrjetit 5 G nga Kina, mund të përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.