Kryesore Amnistia, këta janë të dënuarit që përfitojnë lirinë dhe ulje dënimi

Amnistia, këta janë të dënuarit që përfitojnë lirinë dhe ulje dënimi

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një deklaratë për mediat ka njoftuar se 28 gra të burgosura fitojnë lirinë nga ligji i amnistisë dhe 28 të tjera përfitojnë ulje dënimi.

Po ashtu edhe katër të dënuar të mitur përfitojnë lirinë nga qelia si dhe dy të tjerë përfitojnë uljen me 2/3 e dënimit.

Gjithashtu nga amnistia përfitojnë edhe një numër i konsiderueshëm burrash, të cilët janë dënuar me dënim të formës së prerë me dy vite, deri në datën 30/ 9/ 2019, ose u ka mbetur për të vuajtur nga ky dënim deri në 2 vite.

Ministrja Gjonaj ka deklaruar se një kategori tjetër përfituese janë edhe burrat mbi 60 vjeç që nuk janë dënuar për vepra penale që janë të ndaluara për të përfituar nga amnistie.

Sakaq, ka theksuar se pavarësisht se një pjesë e të dënuarve mund të përmbushin kushtin e dënimit ose të moshës, por në rast se janë dënuar për vepra penale të rënda ose shumë të rënda, nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti.