Politika Ballkani i Hapur, Von der Leyen: Çdo lloj iniciative që është brenda...

Ballkani i Hapur, Von der Leyen: Çdo lloj iniciative që është brenda Procesit të Berlinit mirëpritet nga ne

“Çfarëdo lloj iniciative që është brenda procesit të Berlinit dhe që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh”. Kështu u shpreh presidentja e KE-së Ursula Von der Leyen, kur u pyet nëse Open Balkan është një mënyrë për të stabilizuar rajonin apo për ta larguar nga BE.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo tha se duhet të jetë një proces i hapur gjithëpërfshirës dhe që thellon bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.

“Mendoj që po shikojmë ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregun e përbashkët rajonal procesi i Berlinit është kuadri që po shtyn procesin e integrimit përpara që 6 vendet e rajonit do të përfitojnë. Dhe çfarëdo lloj iniciative që është brenda Procesit të Berlinit që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shohim fjalët, por kontekstin të jetë proces i hapur, gjithëpërfshirës dhe thellon bashkëpunimin mes ekonomive të rajonit”.

Nga ana e tij kryeministri Rama tha se ka diskutuar me presidenten e KE në lidhje me problematikat e procesit të Berlinit dhe ecjen përpara të tij.

“Kemi folur për ecurinë e bashkëpunimit rajonal, dihet që Ursula von der Leyen është bashkëpunëtore e ngushtë e Merkel, e cila është njeriu që nisi procesin e Berlinit dhe për këtë arsye e njeh mirë dhe mbështet procesin dhe e sheh siç është në shërbim të përafrimit të Ballkanit Perëndimor dhe rritjes se kapaciteteve brenda Ballkanit Perëndimor. Ne kemi diskutuar për të gjitha problematikat e këtij procesi dhe jemi në të njëjtin linjë që procesi të shkojë përpara dhe paqja e munguar kërkon durim, dialog, bashkëpunim dhe atë që presidentja nënvizoi krijim të besimit reciprok mes palëve. Pa të është shumë e vështirë dhe kjo kërkon shumë durim e mençuri”.