Politika Basha: Kandidatja e PS në Durrës, 10 mln € dhuratë kompanisë së...

Basha: Kandidatja e PS në Durrës, 10 mln € dhuratë kompanisë së inceneratorëve

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se kandidatja e PS-së për Bashkinë Durrës, Emirjana Sako ka firmosur për tenderin 10 mln euro për plehrat në këtë zonë.

“Kandidatja aktuale për bashkinë e Durrësit nga PS, Emirjana Sako ka firmosur për 10 mln euro dhuratë kompanisë së inceneratorëve në Tiranë, tender që i jepet kompanisë që kanë marrë 430 mln euro nga xhepat e shqiptarëve. 10 mln euro dhe Durrësi është i mbytur nga plehrat”, u shpreh ai gjatë një konference për mediat.

Basha tha se për inceneratorin e Tiranës janë dhënë 35 mln euro, por nuk ka përfunduar as 50% e punimeve në të ashtuquajturin projekt.

“430 mln euro janë dhënë për inceneratorë që nuk ekzistojnë. A mund të kryejë një qeveri 17 procedura në një ditë të vetme pa miratimin e kryeministrit. Siç ishte rasti më 16 dhjetor për inceneratorin e Elbasanit”, tha ai.

Kryedemokrati nënvizoi se janë paguar 28 mln euro për inceneratorin e Fierit, por nga vëzhgimet e bëra nga Komisioni Hetimor në terren nuk është bërë asgjë.

“Lefter Koka është bishti i aferës së inceneratorëve. Për inceneratorin e Elbasanit nuk ka as ligj as procedurë”, tha kreu i PD-së.

Basha i bëri thirrje SPAK-ut që të vijojë me hetimet.

“Të veprojnë pa humbur kohë për ndaluar vazhdimin e vjedhjeve të parave të shqiptarëve. SPAK duhet të përdorë të gjithë instrumentet që asnjë qindarkë të mos u paguhet grupeve kriminale. Të arrestohen përgjegjësit”, tha ai.