Politika Basha mledh përfaqësuesit e PD: Shteti ka lënë në harresë mijëra familje...

Basha mledh përfaqësuesit e PD: Shteti ka lënë në harresë mijëra familje në nevojë dhe biznese

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të shtunë një mbledhje me drejtuesit dhe njëkohësisht përfaqësuesit e selisë blu në të gjithë Shqipërinë. Lajmin e ka ndarë vetë kryedemokrati Basha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, i cili bën të ditur se tema kryesore e diskutimit ka qenë situata e krijuar nga pandemia globale e COVID-19.

“Sot bisedova përmes disa videokonferencave me drejtuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë, lidhur me situatën e rëndë që po kalon vendi”, shkruan Basha.

Lideri demokrat shprehet se qeveria shqiptare ka braktisur mijëra familje dhe biznese, ndërsa shton se shumica e qytetarëve nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga strukturat shtetërore.

“E përbashkëta kudo është që qytetarët janë në vështirësi për të siguruar jetesën e përditshme. Shteti ka lënë në harresë mijëra familje në nevojë dhe biznese. Shumica nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria, ndërkohë që ju duhet të paguajnë edhe faturat e rritura të dritave dhe ujit”, thekson Basha.

Më tej, Basha thekson se Partia Demokratike do t’u japë zë halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve, të cilët sot kanë nevojë për përkrahje në këtë kohë të vështirë pandemie. Sipas Bashës, qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë, por duhet të ndihmojë me plan konkret çdo qytetar e biznes në të gjithë vendin.

“Ne do vazhdojmë të jemi në kontakt me njerëzit për t’ju dhënë zë problemeve dhe halleve të tyre në këto ditë të vështira. Pa asnjë vonesë, qeveria duhet të shpërndajë fondet e mbijetesës dhe të përfshijë menjëherë të gjithë familjet dhe njerëzit në nevojë. Të mbështesë sipërmarrjen në vështirësi mbijetese, biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizmin, pa përjashtuar askënd. Shqiptarët që kanë paguar këto 7 vjet taksat ndër më të lartat në rajon, kanë sot nevojë për ndihmën që ju takon nga shteti. Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë”, shkruan Basha.