Politika Basha nis fushatën nga Shkodra: Votoni Xhemal Bushatin dhe jo modelin e...

Basha nis fushatën nga Shkodra: Votoni Xhemal Bushatin dhe jo modelin e inceneratorëve

Sot ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi fushatën në Shkodër aty ku garon me kandidatin Xhemal Bushati dhe e prezantoi para demokratëve shkodranë.

Kryedemokrati tha se Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën.

“Dy dashni kanë shkodranët, PD-në dhe Vllazninë. Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën. Jam krenar që është kandidati i PD-së për Shkodrën. Është njeriu që është kujdesur me zemër dhe me shpirt për qytetarët e Shkodrës”, tha Basha.

Basha u shpreh se duke votuar Bushatin, është e vetmja mënyrë për të shmangur modelin e Edi Ramës, apo të “inceneratorëve” siç e quan ai.

“Ka vetëm një rrugë që shkodranët mos kenë për kryebashkiak modelin e Edi Ramës, modelin e inceneratorëve, që vret shpresën dhe zbraz Shkodrën dhe ka vetëm një mënyrë, vota për Xhemal Bushatin!

A doni një kryebashkiak të kontrolluar nga Edi Rama dhe Tom Doshi, që të vendos modelin e Edi Ramës dhe Tom Doshit? Nuk ju dëgjoj më fortë! Atëherë votoni Xhemal Bushatin.”- tha Basha.

Ndërkohë kandidati Bushati tha se në këtë zgjedhje duhet t’iu kthejmë qytetin qytetarëve.

“Do t’i shërbejmë qytetarëve me transparencën më të madhe”, tha ai.

Bushati do të jetë në garë me dy kandidatë të tjerë në zgjedhjet e 6 Marsit. Ai do të ketë përballë Bardh Spahinë nga “Shtëpia e Lirisë” dhe Majlinda Angonin që garon në radhët e PS-së.