Kryesore Basha: Nuk mund të fitojmë kurrë duke pasur një person “non grata”...

Basha: Nuk mund të fitojmë kurrë duke pasur një person “non grata” në gjirin tonë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, deklaroi se me një person “non grata” nuk mund të kthehesh në pushtet.

“Fitorja nuk mund të vijë kurrë duke pasur një “non grata” në radhët tona. Ajo që ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon dhe ne sot zgjedhim që të na ndryshojë për mirë”, u shpreh Basha.

“Është e vështirë të shpjegohet me fjalë kjo çështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla. Në rastin tonë, mençuria për të njohur diferencën mes gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë. Përballë historisë së partisë sonë, rruga e vetme ishte mbrojtja e PD-së për një të nesërme më të mirë”, shtoi kreu demokrat.

Basha theksoi se kuvendi i sotëm i Partisë Demokratike duhet të afirmojë proamerikanizmin e saj: “Rreth partisë sonë kanë ndodhur akte që nuk kishin ndodhur më parë, që këtij Kuvendi i japin një status tjetër. Ky Kuvend është dhe duhet të jetë Kuvend i afirmimit të proamerikanizmit, pas një periudhe të gjatë kundërvëniesh me aleatin tonë strategjik”.

Basha tha se vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat pas shpalljes non grata nga SHBA, ishte një vendim që duhej ta ndërmerrte. Basha u shpreh se pas shpalljen non grata të Sali Berishës, u përballën me një fushatë në kufijtë e luftës civile.

“Pas shpalljes non grata të Berishës, u përballëm me fushatë në kufijtë e luftës civile” – “Pas shpalljes së Berishës non grata, jemi përballur me një fushatë të pashembullt, në kufijtë e përplasjes civile, me metoda nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh. Më takonte mua të kthehesha në rrufepritës së akuzave që vërshojnë si lumë. Unë i kam pranuar këto rrufe dhe i pranoj me lehtësinë më të madhe sepse e di që nuk e bëj për veten time, por për Partinë Demokratike dhe në emër të demokratëve. E vërteta është shumë e thjeshtë: drama e Berishës duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët. Duke dëmtuar PD-në. Por, unë nuk mund ta pranoja këtë sepse PD-ja nuk është pronë e askujt, por pasuri e kombit”, deklaroi Basha.

“Të provojmë që jemi parti e pastër në përbërje” – Duke përsëritur herë pas here sesi do të jetë PD sot do të jetë Shqipëria nesër, kreu demokrat theksoi se Partia Demokratike do të jetë më e pastra në Shqipëri në përbërje të saj, duke përjashtuar ata që kanë lidhje me diktaturën, krimin dhe korrupsionin.

“Si do të jetë PD sot do të jetë Shqipëria nesër. Ky është akti i guximshëm duhet të provojmë sot se ç’do Shqipëria, do t’ua provojmë sot që do jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj duke mos lejuar në radhët tona njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare, duhet të biem dakord sot për këtë standard. Nuk do lejojmë njerëz në struktura, njerëz që kanë lidhje me diktaturën komuniste, nuk do të gjejë kurrë asnjë avokat por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim. Nuk do të lejojmë në strukturat e PD njerëz të inkriminuar në çfarëdo veprimtarie kriminale, ndaj qenieve njerëzore.  Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë apo destabilizim të rajonit dhe pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë, PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve. Nuk do të lejojmë njerëz apo prirje që cenojnë lirinë e votës. Kjo do të jetë garanci për një Shqipëri të lirë që do të votojë zgjedhë dhe përfaqësohet me dinjitet. Si do të jetë PD sot do të jetë Shqipëria nesër. Nuk do lejojmë lidhje të politikës me biznesin apo me krimin, apo me organizata që përpiqen të sfidojnë demokracinë në emër të sovranizmit”.

Sipas Bashës, sfida e PD-së mbetet kthimi i besimit të shqiptarëve dhe për t ‘i bindur se është e vetmja parti që i realizon dhe jo vetëm i thotë.

“Kjo është një sfidë e madhe por ne do të rritemi me këtë besim se vetëm kështu shqiptarët mund dhe duhet të na besojnë kjo është sfida jonë. Si do të jetë PD sot do të jetë Shqipëria nesër. Kjo nuk është një histori e re e PD. Ne jemi partia që kemi propozuar dekriminalizimin e politikës dhe vetingun për politikanët. Kemi përpara një sfidë të re që të bindim shqiptarë që jemi partia që i bën këto gjëra jo vetëm i thonë. Të lëmë jashtë ata që duan të sfidojnë SHBA për lidhje me krimin, duhet të ofrojmë njerëz si model përfaqësimi dhe program për mirëqenie ekonomike. Shqipëria vuan nga kapja e shtetit”.