Politika Basha: Përballë masakrës elektorale, demokratët dolën më të fortë

Basha: Përballë masakrës elektorale, demokratët dolën më të fortë

Kreu demokrat Lulzim Basha, këtë të premte, ka zhvilluar takime me strukturat e degës 2 të PD në Tiranë për garën brenda partisë.

Sipas Bashës, demokratët dolën më të fortë nga përballja me atë të cilën ai e quan masakër elektorale.

“Kam bindjen se mbi të gjitha ju shoh ballëlartë sepse jeni të vetëdijshëm, se përkundër kësaj masakre zgjedhore, përkundër dhe pikërisht për shkak të përballjes me këtë makineri kriminale, ju dolët si njerëz të qëndresës, si njerëz të vlerave, ja dolët të përballeshit dhe jo vetëm të përballeshit, jo vetëm të qëndronit, jo vetëm mos të përkuleshit, por të rriteshit, të forcoheshit dhe të vinit siç keni ardhur në këtë sallë dega 2 më të mëdhenj, me të fortë.

Nuk e keni bërë këtë për mua, nuk e keni bërë këtë për karrigen time, as për karriget tuaja, nuk e kemi bërë këtë betejë për veten tonë, e kemi bërë për shqiptarët, ndaj shqiptarët zgjodhën të na besojnë, sepse ju zgjodhët të luftoni për ta. Shumëkush prej jush mund të kishte zgjedhur mos të qëndronte, ose mos të luftonte, ose të mbyllej në shtëpi, ose të ikte fare nga Shqipëria. Shumëkush prej jush mund të kishte patur edhe oferta, si ndonjëri që duke shkelur mbi sakrificën dhe gjakun e demokratëve shiti shpirtin tek kundërshtari politik, askush s’ju detyroi të ishit në këtë betejë”, u shpreh Basha.